Koço Kokëdhima: Kanabisi duhej të ishte legalizuar që në 2014, ndihmon ekonominë

Ish-deputi i PS, Koço Kokëdhima deklaroi në emisionin “Breaking” në Top News se kanabisi farmaceutik do të duhej të ishte legalizuar në Shqipëri që prej vitit 2014.

Sipas ish-deputetit, sot të gjitha shoqëritë e përparuara e kanë kaluar këtë debat, dhe sipas tij, shteti po humb shumë ekonomikisht.

“Sot, debati për faktin nëse duhet legalizuar ose jo kanabisi është debat i kapërcyer në të gjitha shoqëritë e përparuara të Evropës dhe SHBA. Nuk ka asnjë argument kundër.

Kundërshtarët nuk kanë më asnjë armë në duar. Problemi është vetëm kompleksi i këtyre njerëzve. Kemi 1 milion arsye se pse duhet ta kishim legalizuar kanabisin farmaceutik që në vitin 2014”, tha Kokëdhima.

Ish-deputeti shtoi se në Shqipëri ka me mijëra përdorues të kanabisit dhe legalizimi do ishte një ndihmë për këta të fundit

“Duhej të kishim bërë hapa të rëndësishëm edhe për legalizimin për përdorim nga të rriturit për qëllime rekreative. Konsumi i kanabisit është realitet në të gjitha shoqëritë. Qeveria duhet t’ i përgjigjet këtij realiteti me ligje. Janë me mijëra konsumatorë kanabisi në Shqipëri.

Është më mirë të mësohet se kush e konsumon kanabisin dhe mund ta marrin në farmaci, me cilësi dhe çmime të drejta. Nga ana tjetër kjo duhet të shërbejë edhe si ekonomi. Edhe Greqia dhe Maqedonia e Veriut po e bëjnë realitet”, tha Kokëdhima.