Në Piqeras, atje ku turistët ”dehen” me blunë e detit dhe mikpritjen
PIQERAS (Himarë), 19 mars /ATSH-Shkëlqim Hajno/ “Jam nga fshati më i bukur në botë”, kështu shprehet Vasil Gjivogli që ka punuar gjysmë shekulli si arsimtar dhe drejtor i shkollës në Piqeras të bashkisë Himarë. Dhe na duket se ka të drejtë.
Nga çdo tarracë këtu, bluja e detit Jon, është sfondi më i mrekullueshëm në të katër stinët e vitit dhe syri, të rrok pamjet deri në Llogara që është zbardhur nga bora. Kisha e Shën Thanasit në qendrën e Piqerasit është e vjetër sa ullinjtë që ka përpara. Ajo është paraprirë nga kisha e vjetër e vitit 1601.
Sot, Ulliri i Kishës, me tre trungje si prej legjende, është kurora jeshile e shekujve që të fton jo vetëm në Kishë po edhe në rruginat e fshatit.
Niko është kryetar i fshatit. Ai na tregon se ujësjellësi nga Gurra nuk arrin të plotësojë nevojat e fshatit me ujë. Ndaj qeveria ka bërë studimi për ujësjellësin e ri, nga matanë malit në Tatzat të Delvinës, që do të sigurojë 24 orë ujë pa ndërprerje për të gjithë banorët e Piqerasit.
Niko tregon se, pas ’90-tës, kanë ikur shumë nga fshati për emigracion. Por shumë edhe kanë ardhur dhe janë rikthyer në fshat, duke investuar në tokat e tyre kryesisht në bujqësi dhe agroturizëm.
Bashkia Himarë, gjithashtu ka disa muaj që ka përfunduar këtu në Piqeras investimin në rehabilitimin e ambulances së re, teksa projekte të reja parashikohen edhe në restaurimin e objekteve të kultit që ka zona jonë.
Turizmi familjar
Fshati i bukur bregdetar i Piqerasit, vitet e fundit po frekuentohet intensivisht nga turistët vendas dhe të huaj. Turizmi familjar po zhvillohet, ndërsa po shtohet numri i hoteleve apo shtëpive që ofrojnë 2-3 dhoma e më tepër për turizëm. “E ushtrojnë këtë aktivitet dhe Piqerasi pëlqehet. Dhe kjo është gjë e mirë”, rrëfen Niko.
Një banor i Piqerasit na tregon se “90% e turistëve që vijnë në bujtinën e tij, janë të huaj”, ndërsa janë të paktën 50 dhoma që ofrojnë turizmin familjar këtu në Piqeras”.
Për te konaku i Gjivoglit
Për të mbërritur te konakët e Vasil Gjivoglit, mësuesit në pension, shkrimtar e poet, tok me Sofo Mekshin me origjine nga këto anë (Nivicë Bubari), duhet të përshkojmë pothuaj krejt fshatin.
Duhet të kalosh te ish muzeu, të kalosh në një rrugë të gjatë qarkuar nga dhjetra porta me qemer të gdhendur dhe të tjera më të thjeshta. Të gjitha, me gur të gdhendur. Por hera-herës befasohesh nga ndërtime e restaurime të godinave të vjetra, që të japin pamjen e shtëpive të mirëmbajtura, por edhe vilave të bukura.
Piqerasit e duan fshatin e tyre edhe në mërgim të jenë. Kur janë nisur në mërgim të hershëm apo të ri, nuk e kanë hedhur asnjëhrë gurin pas shpine, siç thotë ajo rrëfenja popullore.
Është fshat më dy heronj të popullit, thotë Vasil Gjivogli: djaloshin Vasil Llaçin, atentatorin e famshëm që qëlloi në Tiranë mbi Viktor Emanuelin dhe djaloshin tjetër, partizanin Mitro Xhani që ra në betejë me fashistët në Dukaj të Tepelenës.
E pyesim Vason nëse vijon tradita e promovimit të botimeve etnokulturore të zonës së Bregut dhe ai na tregon se, “Gjergji Goro kryetar i bashkisë Himare, po e vazhdon këtë traditë, përmes aktiviteteve të ndryshme artistike apo panaireve, që kulmojnë gjatë sezonit veror”.
Gjivogli nuk harron të na sjellë në vëmendje dhe faktin se “Piqerasi deri vonë ka patur edhe një flotë të tërë me anije peshkimi”, teksa shprehet se peshkimi ishte një ndër aktivitet e tjera të rëndësishme të ekonomisë së zonës, krahas ullishtarisë, blegtorisë, artizanit dhe turizmit.
“Ky vend është i bekuar kudo”, thotë Vasil Gjivogli
“I bekuar, nga Manastiri i Kremasovës sipër në mal, mbi krye të Piqerasit, te Mali me Lis të Vetëm; te Ulliri i Lotëve; deri tej, në Bunec me plazhin e artë dhe poshtë, në detin e paanë të Bregdetit. Kudo i bekuar”, thotë ai.