Vlora përballë stuhisë së Covid-19, Leli: Masat të ishin edhe më të forta
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, mjek në profesion, foli në Dita Jonë për situatën e krijuar nga koronavirusi në qytetin që ai drejton.
“Është një pandemi që ka gjunjëzuar njerëzimit. Pjesa më e rëndësishme ka qenë përballja me problematikat e higjienës, dezinfektimi i hapësirave publike.
Ne kemi gjetur në çdo vend edhe mbështetjen e qytetarëve. Higjiena personale dhe ajo në komunitet është më e rëndësishmja.
Po merremi, që në ditët e para, me angazhimin dhe mbështetjen e njerëzve nën nevojë.
Që në ditët e para kemi ndarë rreth 300 ndihma, kjo është bërë edhe falë mbështetjes së donatorëve.
Nga dje, ka filluar një aksion humanitar i bashkisë me të gjithë stafin, ku do të shpërndahen ndihma në 1500 familje, që janë evidentuar si më problematike”.
Leli theksoi se masat mund të ishin edhe më të forta, që njerëzit të kishin sa më pak kontakte. Ai shprehet se përgjegjshmëria është çelësi i suksesit.
“Në këtë luftë të bëhemi të gjithë palë dhe të jemi sa më të përgjegjshëm. Ndërgjegjësimi i qytetarëve të Vlorës është rritur. Do të doja që masat të ishin edhe më të forta.
Njerëzit duhet të dalin një herë në dy apo tre ditë, që të minimizojnë kontaktet. Kjo ëndërr e keqe duhet të ketë fundin e saj sa më shpejt.
Përgjegjshmëria njerëzore është çelësi i suksesit në këtë luftë të njerëzimit”, u shpreh Leli.