Finiq, Ambasadorja greke “njihet me hallet” e minoritetit
Veç Sarandës, ambasadorja greke në Shqipëri vizitoi dhe bashkinë minoritare të Finiqit.
“Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Znj. Sofia Filippidou dhe Konsulli i Përgjithshëm i Greqisë në Gjirokastër, Z. Dimitrios Sacharidis, u pritën në zyrën e tij më 14 janar, nga kryetari i Bashkisë së Finiqit, z. Kristo Kiço.
Gjatë takimit i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe klimë bashkëpunimi, kryetari i bashkisë i informoi ata për të gjitha çështjet kryesore që kanë të bëjnë me komunitetin tonë.
Tema kryesore është problemi i pronave që vazhdon prej shumë vitesh i pazgjidhur në bashkinë e Finiqit dhe jo vetëm, regjistrimi i popullsisë që do të realizohet gjatë vitit 2022, problemet e arsimit, investimet në infrastrukture dhe zhvillimi ekonomik, ngjarjet dhe aktivitetet kulturore, si dhe problematikat që kanë lindur për shkak të pandemisë.
Në përfundim, z. Kiço falënderoi nga zemra Ambasadoren dhe Konsullin e Përgjithshëm të Greqisë në Gjirokastër për ndihmën e tyre të pakursyer gjatë gjithë periudhës së vështirë të pandemisë. Njëkohësisht, ai vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe shprehu besimin se do të vazhdojë edhe në të ardhmen me synim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetës së qytetarëve tanë”, raportohet nga bashkia minoritare.