DETAJET/ Ambasadorja e Greqisë pritet nga kryebashkiaku Adrian Gurma
Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Sophia Philippidu, e shoqëruar nga Konsulli i Përgjithshëm I Konsullatës së Greqisë në Gjirokastër, Dimitrios Sacharidis dhe zyrtarë te tjerë, u prit dje nga Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma.
“Saranda zhvillohet dhe përparon pa dallim dhe në harmoni të plotë mes popullsisë shqiptare dhe asaj minoritare greke, dhe kjo është një nga vlerat e çmuara që ne kemi dhe për të cilën kujdesemi”, u tha diplomatëve grekë kreu i Bashkisë Gurma.
Ai tha se në Sarandë kemi klasa të mësimeve në gjuhën greke në shkollën “Adem Sheme”, përveç shkollave si ajo e Çukës në Bashkinë e Sarandës. Sipas tij, në shkollën e mesme Profesionale të Mesopotamit, pavarësisht që nuk është në territorin e Bashkisë sonë, janë të shumtë të rinjtë e të rejat, që zgjedhin të shkojnë nga qyteti i Sarandës, për të marrë profesion në atë shkollë. Po ashtu, u vlerësua fakti që në stafin drejtues të Bashkisë së Sarandës, përveç mjaft punonjësve me përkatësi nga minoriteti etnik grek, njeri prej tre Nënkryetarëve, është i kësaj përkatësie etnike.
Fqinjësia e mirë me qytetet greke ka ndihmuar për shkëmbim ekperiencash në turizëm dhe në evente të përbashkëta, siç ishte pjesëmarrja e futbollistëve veteranë nga Korfuzi në Sarandë, apo kolonia e piktorëve e manifestimi poetik, me pjesëmarrës edhe nga Greqia, por pandemia i ka vënë në vështirësi këto marrëdhënie, u shpreh Kryetari Gurma.
Ambasadorja Philippidou tha se kjo është një zonë turistike, së cilës i shtohen mundësitë për zhvillim, duke bashkëpunuar me qytetet fqinje të shtetit grek, si Korfuzi, Igumenica, Janina etj. Ajo ka ftuar që të përcaktohen shpejt fushat e bashkëpunimit konkret përpara nisjes së sezonit të ri turistik dhe me shpresën që pandemia do të jetë larguar.
Me shumë dobi u vlerësua rikthimi te ideja e Akademisë së Turizmit, e hedhur përpara pandemisë, për të nxitur eventet lokale dhe produktet artizanale. Bashkëpunimi u tha se është e mundur të shtrihet edhe në fushën e sipërmarrjes turistike, me Unionin e Hotelierëve dhe Dhomat e Tregtisë në Korfuz e Janinë, për të potencuar të gjithë tipologjitë e turizmit, përveç detit.
Diplomatja greke tha se një moment i rëndësishëm në këtë zhvillim të integruar do të jetë organizimi i një Kongresi me pjesëmarrje të të gjitha bashkive turistike nga të dy anët e kufirit dhe nxitjen e përfshirjes në programe e projekte të BE, si partnerë të barabartë. Këtë vit- tha ajo- Greqia është pjesë e nismës “Tirana Kryeqytet i Rinisë” dhe po them që çdo trupë artistike që do të performojë në kryeqytetin shqiptar, të bëjë stacion edhe në Sarandë, si: koncerti i Filarmonisë etj.
Kryetari Gurma ka zbuluar projektin pilot në Lagjen Kodër të Sarandës, si një fushë bashkëpunimi me kompani greke të specializuara. Po kështu, u kërkua të mundësohet që pikëkalimi kufitar i Qafëbotës, të paktën në 6 muaj të vitit të ofrojë shërbim 24 orësh, për të lehtësuar hyrje-daljen e turistëve dhe lëvizjen e njerëzve e të mallrave.