Mbetet në burg delvinjoti Gjergji Kohila, i akuzuar për bashkëpunim me ‘Habilajt’
Gjykata la sot në burg ish-shefin e krimeve kundër narkotikëve në drejtorinë e Qarkut Vlorë, Gjergji Kohila.
Kohila u vetëdorëzua në policinë e Tiranës në 15 dhjetor. Ai prej më shumë se tre vitesh ishte në kërkim nga drejtësia, për përfshirje në bandën e trafikut të drogës së ‘Habilajve’. Ai u shpall fajtor në mungesë nga shkalla e parë dhe u dënua me 8 vite burg pasi përfitoi nga zbritja e gjykimit të shkurtuar.
Akuzat për të cilat u shpall fajtor ish-shefi i sektorit kundër krimit të organizuar të policisë së Vlorës e lidhin atë me trafik të narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit kriminal për të cilën mori 12 vite burg.
Ndërsa për grupin kriminal, ish-zyrtari Kohila u shpall fajtor dhe mori dhe dy vite të tjera burg, por siç deklaroi gjyqtari Artan Gjermeni në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ai fiton një të tretën e uljes së dënimit.
Emri i Kohilës është në të njëjtën dosje të quajtur si “Habilajt”, e së bashku me të është edhe Sokol Bode, një tjetër ish-zyrtar policie që vijon të jetë në arrati, por që çështja e tij u veçua mbasi kërkoi gjykim të zakonshëm.
Siç mësohet nga burimet dyshohet se Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode kanë favorizuar grupet kriminale për të kultivuar canabis sativa gjatë viteve 2015-2016 në fshatrat e Vlorës.
Zyrtari i policisë ka qenë bashkë i pandehur me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.