Kreu i PD Vlorë: Basha është ish-kryetar i PD-së, u shkarkua nga Kuvendi i 11 dhjetorit
Kryetari i PD-së në Vlorë Genc Deromemaj, në intervistë, foli për situatën në Partinë Demokratike.
Deromemaj theksoi se Basha është ish-kryetar i Partisë Demokratike, duke shtuar se Lulzim Basha u shkarkua nga Kuvendi i datës 11 dhjetor.
“Basha është ish-kryetar i PD, u shkarkua nga Kuvendi i 11 dhjetorit. Basha këta ditë ka sjellë vetëm negativitet, nuk ka pritshmëri nga Lulzim Basha, përpos se të sjellë gjëra negative në lidhje me punët e brendshme të Partisë Demokratike.
Neve të gjithëve na janë hapur sytë, pas lëvizjes absurde të zotit Basha më datë 9 shtator. E ardhmja e PD-së do jetë më e mirë, Kuvendi riktheu shpresën e besimin se Partia Demokratike shumë shpejt do të kthehet në qeverisje, do të bëjë punë të mira për vendin dhe të gjithë shqiptarët. Besoj se shumica e anëtarësisë së PD-së do të marrë pjesë në referendum. Referendumi do të kryhet në degët e PD-së.
Nuk ka për të pasur asgjë jonormale, PD tashmë është në rrugën e normalitetit. Basha shkoi deri aty sa na quajti edhe komunistë, ai dhe shpura e tij po marrin hapa, që janë përçarës. Basha është shkarkuar tani dhe nuk merr dot asnjë masë. Pas ditës së djeshme, Basha është thjesht anëtar i PD-së dhe s’ka atribut në lidhje me drejtimin e Partisë Demokratike.
Tani Basha merr vendime që janë të një anëtari e një anëtar nuk merr dot vendime. Basha është i pandreqshëm, po vijon luftën e vet në mënyrë të pandreqshme e absurde. Strategjia e Bashës është e kotë”, deklaroi Deromemaj.