Bashkia Përmet: Nuk do të ndërtohet asnjë landfill. Plehrat do t’i çojmë në Delvinë
Bashkia Përmet ka reaguar lidhur me cështjen e landfillit për të cilin u protestua një ditë më parë. Përmes një deklarate, bashkia sqaron se nuk bëhet fjalë për një landfill, por për një vend-depozitim të përkohshëm. Sipas bashkisë, pas përfundimit të rrugës Kardhiq-Delvinë, plehrat do të depozitohen në landfillin e Bajkajt në Delvinë. Më poshtë pjesë nga deklarata e Bashkisë Përmet.
Kërkesës së bashkisë Përmet të bërë që prej vitit 2019 për mbështetje financiare , si dhe nisur nga detyrimet që rrjedhin nga aktet ligjore dhe nenligjore në fushën e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve, qeveria i është përgjigjur duke investuar për rritjen e standarteve mjedisore në venddepozitimet e përkohshme, e theksojme “të perkohshme” të Përmetit si dhe të disa bashkive të tjera. Qëllimi i këtij investimi konsiston në minimizimin e ndotjes së mjedisit në venddepozitimin e përkohshëm të Përmetit, duke bërë të mundur rritjen e disa standarteve me kushte sanitare që të mos ketë ndikim në burimet ujore,në tokë si dhe në anën vizuale. Themi të përkohshëm pasi me përfundimin e rrugës Kardhiq-Delvinë, Përmeti dhe gjithë qarku Gjirokastër do t’i depozitojnë mbetjet në Landfillin e Bajkajt në bashkinë e Delvinës ndërsa venddepozitimet aktuale do të mbyllen përfundimisht. Gjithashtu brenda vitit 2023, Përmeti dhe qarku i Gjirokastrës do të përfitojnë nga investimi i Delegacionit Europian në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për rehabilitimin e gjithë infrastrukturës për trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve. Duke marrë parasysh çdo shqetësim Tuajin, theksojmë se nuk do të ndërtohet ASNJË landfill në territorin e bashkisë Përmet, por kemi të bëjmë vetëm me rehabilitim të venddepozitimeve të përkohshme për një mjedis më të pastër. Më poshtë mund të shikoni pamjet se si do të jetë ky venddepozitim i përkohshëm.