Ina Zhupa i ndan socialistët në tre kategori, deputetja e PS e kritikon

Deputetja dhe zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa i ka ndarë sot socialistët në tre kategori, gjatë fjalimit të saj në Parlament: Patronazhistë, pasionarë dhe pasionare si dhe pastërtorë.

Por kjo gjë nuk i ka pëlqyer zv.kryetares së Parlamentit, Ermonela Felaj e cila i ka tërhequr vëmendjen.

“Këtë mazhorancë në fakt unë e kam ndarë në tre kategori. Patronazhistë, pasionarë dhe pasionare dhe kategoria e tretë, pastërtorë. Dhe shkurt siç ju pëlgjen edhe juve jeni PPP.

Në kategorinë e parë të patronazhistëve keni spiunin modern në shembullin e partisë shtet për të cilën keni aq shumë nostalgji, modelin që ju adhuroni, mënyrën se si doni të sundojë ligji në këtë vend ku diktatori i radhës është vetë Zot dhe vetë shkop.

Në kategorinë e dytë, pasionarë dhe pasionare e kam klasifikuar duke u niaur nga një personazh që ndoshta e mbani mend, i luajtur me mjeshtëri nga Marjana Kondi e cila quhej Pasionare Llapa në Portokalli. Dhe pasionarët dhe pasionaret e kësaj qevere, vijnë këtu e flasin për qeverisje më të mirë, për arritjet që nuk i ka parë historia, për zhvillim dhe pastrim parash, për ligje të mrekullueshme. Faleminderit qeverisë, faleminderit ministres dhe është ndoshta kategoria më pak e rrezikshme por edhe më e pështirë.

Kategoria e tretë janë ata që unë i kam quajtur pastërtorët. Janë pikërisht ata që japin bekimin për të pastruar paratë e pista në këtë vend. Janë ata qëë bëjnë korrupsionin më të madh. Janë ata, pastërtorët peshqit më të mëdhenj. Janë të njëjtit peshq që sot na kanë sjellë ligjin në Parlament, që duhej të ishin subjekt i këtij ligji. Ligji nuk do të kishte kuptim nëse ata që janë mjeshtër i pastrimit të parave, të mos jenë subjekt i hetimit të këtij ligji.”- tha Zhupa gjatë fjalimit të saj në Foltoren e Kuvendit.

Ky fjalim i Zhupës nuk i pëlqeu Felajt, e cila i tërhoqi vëmendjen duke thënë se fjalë të pahijshme nuk mund të përdoren në Kuvend.

“Desha t’ju kujtoj gjithmonë në respekt të Kodit të Etikës dhe sjelljes në Kuvend, që fjalë dhe shprehje të pahijshme, pse përdoren në spektakle humori nuk mund të përdoren edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Do të ishte në nderin tuaj si grua dhe si zonjë, që të mos i kundërdrejtoheni asnjë gruaje dhe asnjë zonjë brenda kësaj salle në të gjitha anët që mos ti drejtoni fjalën që përdorët pak më parë në fjalimin tuaj.”– tha Felaj.

Deputetja e Sarandes pati perplasje dhe me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.

Ky i fundit tha se nuk e dinte se në cilën kategori Zhupa e fuste, por i tha asaj të zgjohej nga gjumi pasi qytetarët e kishin bërë zgjedhjen e tyre më 25 Prill.

Zhupa mori fjalën për të sqaruar deklaratën e saj ndërsa i kujtoi Manjës përgjimet e gazetës Bild për dosjen 184, që dëshmonin vjedhjen e votave në zgjedhjet vendore në Dibër. Manja u komentua shumë për batutën e tij në këto përgjime: “Ne themi të shkosh për më nalt o burrë…”

Por kjo gjë e zemëroi shumë ministrin Manja, duke i thënë Zhupës se herë tjetër të mendohet mirë dhe të pyesë se kush është ai para se t’ja përmendë emrin. Manja tha që ndryshe nga kryedemokrati Lulzim Basha, ai nuk heziton të shkojë përpara drejtësisë në vend apo edhe jashtë Shqipërisë.

DEBATI:

Ulsi Manja: “Nuk e di se sipas ndarjes që bëri kolegia paraardhëse e opozitës, se tek cili grup jam, tek Pasionari apo Pasionare Llapa, nuk e di, por zonjë e nderuar zgjohu nga gjumi sepse më 25 Prill 2021 qytetarët e kanë ndarë se kush do të merret me punë dhe me përgjegjësi para qytetarëve dhe kush do të llapë.

Dhe nëse e keni ndarë pastaj se kush do të llapë në Foltoren e Kuvendit dhe kush do të llapë tek Foltorja tjetër, kjo është punë e juaj. Këtë nuk jau zgjidhim dot.” (Manja vijon më tej me fjalimin e tij.)

Ina Zhupa kërkon fjalën: “Tani që ta sqarojmë se keni edhe kryeministrin artist dhe mendova që duke patur kryeministrin artist mund të keni edhe ju një qasje artistike. Pasionare Llapaj ka qenë personazh I Portokallisë i interpretuar nga Marjana Kondi. Ju ftoj ta shikoni, e keni edhe në Youtube. Është shumë e ngjashme, mund t’ju duket vetja sikur po dëgjoni fjalimet e disa prej kolegëve këtu por nuk është faji i personazhit. Gjejeni fajin diku tjetër.

Zoti Manja ka shumë të drejtë që thotë për standardet e BE-së, por unë jau citova që ne jemi duke arritur standardet e Bashkimit afrikan. Pra jemi më nalt, më nalt siç do thoshte zoti Manja në disa përgjime telefonike, përsa i përket Vettingut politik është shumë e vërtetë, ne e kërkojmë dhe jemi të bindur, e kërkojmë nga vetja jonë të parët që në ato karrige atje janë të ulur ata njerëz që merren të parët me pastrimin e parave, të cilët janë të lidhur mebotën e krimit dhe  këtë ju mund ta demostroni që nuk keni frikë duke e votuar dhe duke e pranuar paketën tonë për Vettingun në Politikë. Tregojeni këtu dhe hajdeni pastaj dhe diskutojmë për gjithë masat e tjera”.

Ulsi Manja: “Në fakt s’kam replikë përsa thotë kolegia e opozitës por meqë përmendi këtë punën e përgjimeve, e kam thënë disa herë në këtë sallë por ti je deputete rishtare dhe nuk besoj se e ke patur rastin ta dëgjosh deklaratën time. Ndryshe nga kryetari juaj, ky që keni tani i radhës, që heziton të shkojë përpara komiteteve të drejtësisë dhe të japë përgjigje për shumë gjëra, unë kam qenë dhe jam i gatshëm të paraqitem para çdo autoriteti të drejtësisë time në vend por edhe jashtë Shqipërisë, sepse raporti im me të vërtetën dhe me ligjin lidhet me formimin tim zonjë. Kështu që ti mund t’i përmendësh sa herë të duash ato. Ti dhe shumë të tjerë këtu që fshihen pas gishtit. Por Ulsi Manja si deputet, si prokuror dhe si ministër Drejtësia as ka firmosur dhe as ka për të firmosur kurrë nxjerrje bandidësh nga burgjet e sigurisë së lartë në funksion të proceseve elektorale si në 2009 për të bërë rrush e kumbulla votën e lirë dhe demokracinë në këtë vend dhe as ka për të dhënë licensa noterësh prapa të cilës fshihen interesa okulte dhe janë sot turpi i noterisë në Shqipëri. Kështu që kur të më drejtosh gishtin herë të tjera interesohu pak se kush është Ulsi Manja.”