Duke marrë aromën e estradës profesioniste të Sarandës

Nga Thoma Nika

Në ditën e fundit të këtij nëntori dhe në përmbyllje të veprimtarive të programuara nga Bashkia e Sarandës në JAVËN E FLAMURIT, zuri një vend të veçantë promovimi i librit “Aroma e një kohe që po ikën”. Ky libër është një monografi e plotë e profilit dhe jetës 60-vjeçare të Estradës Profesioniste të Sarandës. Plot mbresa, kujtime e përjetime, si dhe me material fotografik nga turnetë e asaj trupe, e cila, me regjisorin emblemë Thoma Milaj në krye, bëri emër e histori.

Për gjashtë dekada, ajo u bë e dashur dhe e kërkuar për spektatorin anembanë Sarandës, deri dhe në qytetet që prodhuan humor të shëndetshëm e humoristë me emër, si: Shkodra, Tirana, Korça, Vlora, Fieri etj.

Libri “Aroma e një kohe që po ikën”, është dedikim për brezat që e themeluan, e ndërtuan dhe i dhanë shkëlqim trupës.

Është kthim në ato vite. Është edhe pranim i realiteteve të reja, kur humori po gjen mënyra dhe hapësira të reja, për të shkuar te spektatori dhe teleshikuesi.

Është kjo arësyeja pse botimi i librit u mundësua me mbështetjen e Bashkisë së Sarandës dhe me kujdesjen e posaçme të Kryetarit të saj, Adrian Gurma, si shprehje e kondideratës për Trupën e Estradës së Sarandës, si një nga faqet e pasaportës identitare të Sarandës.

Shërbimin e sjelljes në kujtesë të kësaj vlere, që qëndron në fondin e vlerave tona më të mira, merr përsipër të kryejë ky libër, si një nismë e Prof. Josif Papagjoni dhe aktorit e regjisorit Vangjel Agora.

Ura lidhëse shpirtërore e Pëllumb Kullës me këtë estradë, që ai tha se e bëri atë “edhe pak sarandiot”, fuksionoi sërish dhe ai u gjend në këtë event duke ardhur “nga përtej Oqeanit” me Zhulin artiste e bashkëshorte dhe me Zef Mosin, mik me shkas estradën e Sarandës dhe prej vitesh bashkështetas të SHBA. Së bashku me Akademikun tonë, Prof Josif Papagjonin, secili prej të ftuarve u shfaq me dimension personaliteti.

Vetë Estrada e Sarandës është një Personalitet në fushën e artit.

Ajo që u bë me promovimin e librit për historinë thuaj 60vjeçare të Estradës, për mua është sikur po i festohej ditëlindja asaj dhe libri që na u dhurua, ishte si qershia në tortën e kësaj ditëlindjeje.

Është nevojë që, në vend të vetë Estradës, të kemi mundësinë që aromën e një kohe që po ikën, ta kishim të shkruar në një libër. Dhe ja ku e kemi. Studjuesit apo edhe lexuesit ndoshta do ta klasifikojnë librin si një monografi të profilit dhe jetës 60-vjeçare të Estradës Profesioniste të Sarandës.

Afër apo larg Sarandës, me estradën e Sarandls ne jemi rritur. Kjo, për arësyen e thjeshtë se dekadat e jetës së saj e bënë atë, të dashur e të kërkuar për spektatorin anembanë qytetit tonë, por edhe në qytetet kryesore të vendit, të njohura në gjininë e humorit. Këtë emër dhe famë ia dhanë regjisorët e saj, duke nisur me Thoma Milajn, për të vazhduar me Vangjel Agorën. Ia dhanë aktorët, duke nisur nga ata të brezit të parë, si: Jorgo Nano, Myfit Braja, Lekë Mosi, Illo Martiko, Taqo Lepuri, Apostol Lula e të tjerë. E pasuruan këtë trashëgimi parodisti i ynë i shquar Theofil Haxhijani dhe aktoret Violeta Cari (Haxhijani), Pranvera Brinja, aktorët Karafil Shena, Anastas e Kostaq Nika dhe Piro Guma, humoristi Haki Spaho, Flamur Oruçi, Valentina Boçi e dhjetëra amatorë që luajtën në krah të tyre. Pjesë integrale e emrit të madh të kësaj Estrade ishte orkestra e drejtuar nga Fani Nako e për vite e vite nga Thoma Gjoni. Por nuk përjashtohet dot skenografia fine e Lefter Çekos.

Estrada e Sarandës është krijesa e të gjitha kohërave dhe të gjithë brezave, që prodhuan dhe dhuruan humor të shëndetshëm.

Prandaj Libri që morëm sot në dorë është dedikim për brezat që e themeluan, e ndërtuan dhe i dhanë shkëlqim trupës.

Mendoj që libri ka dy vlera të mëdha: na kthen në ato vite dhe duke na çuar në kohëra të ikura, na bën realistë për të pranuar edhe realitetet e reja, kur humori po gjen mënyra dhe hapësira të reja, për të shkuar te spektatori dhe teleshikuesi. Kuptohet, Koha bën të vetën, koha sjell kërkesa, shije dhe formate të tjera. Por e rëndësishme është që shija dhe aroma e tradicionales të mos humbasë. T’i referohesh asaj që ikën, është me dobi, pasi lehtëson arritjen e suksesit të humorit në kohë të reja.