Largimi i Matilda Qurkut, Ina Zhupa: I di arsyet por nuk dua të prek jetën e saj personale
Për Ina Zhupën, Partia Demokratike duhet të jetë një, por brenda strukturave të saj.
Ajo kritikoi edhe ‘Foltoren’ e Sali Berishës me gratë në Tiranë, teksa tha se vetë LDG që e organizoi nuk ka legjitimitet të plotë.
“Foltorja e Gruas dje ishte një foltore e organizuar nga LDG, që vetë është në process ristrukturimi të brendshëm. Sepse Lidhja Demokratike e Gruas ka 12 vjet që nuk ka Kryesi dhe drejtohet nga zonja Albana Vokshi që është e emëruar” – tha Zhupa.
Për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV ajo u ndal edhe tek pozicionimi I kreut të FRPD në krah të Berishës.
“Zoti Belind këlliçi u zgjodh Sekretar për Diasporën, pra pritej të largohej nga FRPD pasi i kishte mbaruar mandati. Ne përpiqemi t’i shohim si të lidhur me Foltoren, por ata janë pa mandate” – tha Zhupa.
Ajo tha se nuk është e vërtetë që sekretarja e Degës së Sarandës është shkarkuar.
“Unë e kam në celular dorëheqjen e saj dhe unë vetë i kam kërkuar të mos e japë dorëheqjen. Mund t’ju them edhe arsyet pse e ka dhënë, por nuk dua të prek jetën e saj personale. Ashtu siç ia ka dërguar edhe kryetarit të PD-së dorëheqjen, nuk e ka tërhequr më. Ne jemi një parti serioze dhe nëse njeriu e mohon, nuk ka pse të bëhet viktimë” – tha Zhupa.