Saranda, ose qyteti me 3 stinë dhe 300 të mira
Nga Thoma Nika
Saranda është qyteti, ku dielli i ngroh të gjithë dhe deti ta shpërblen, sa më afër t’i rrish.
Edhe në kohërat kur fukarallëku ishte “pronë publike” dhe një mesatare jetike, sarandioti e shikonte veten të paktën gjysëm shkalle më lart. Arësyeja e gjithmonshme ishte Dielli dhe Deti.
Të mos e kishe të domodoshme një pallto të madhe, një trike të punuar “rëndë” apo një shall për së mbari, këtë Saranda e ka ofruar edhe në kohërat e fukarallëkut më të madh. Një klimë e butë, me dimra “pa dhëmbë” e “qesharakë”, me të shumtat e ditëve të vitit diell, një qytet, pra, me tri stinë e jo me katër, jep mundësinë për të dimëruar me veshje të lehtë. Kjo, falë Diellit, që i ngroh të gjithë.
Por një mik më shumë ka qenë e mbetet Deti. Sarandiotët një më dy e thonë “do vete në det”. E kjo jo vetëm në muajt e verës. Por qysh sa nisin të çelin lulet e para, sa shohin që rrezet diellore bien pingul mbi det. E “do vete në det”, bëhet një refren e një ritual, që aplikohet në masë nga vendasit, të paktën deri në tetor. Maj-Tetor është sezon plazhi për sarandiotët me breza.
Shko edhe sot në plazhet poshtë shetitores së Sarandës. Te rëra apo në ujë, do gjesh fytyra që i njeh dhe me të cilët shkëmben përshëndetjen e përditshme, teksa këmbehesh rrugëve të qytetit tënd. Moshat e reja janë më së shumti të huaj, nga qytete e shtete të tjera. Ndërsa moshat e pjekura, më së shumti zonja, janë sarandiotë e sarandiote, që, falë diellit, i cili ende ngroh atmosferën dhe ujin e detit, i ke atje, si të thuash, “abone”. Me kosto zero.
Nëse pushuesit, ata që bëjnë turizmin tonë, vijnë në Sarandë për të shijuar asetet e saj në fundjavë, për javën apo dyjavorin, sarandiotët detin dhe të mirat e tij, i shijojnë dhe i marrin për disa muaj. Dhe bindesh se kjo është përmbajtja që ka brenda thënia shekullore “më mirë pranë detit, se sa pranë Mbretit”.
Mbreti i sarandiotëve është Deti. E atij i falemi, për të mirat që kemi kuptuar se na jep. Pa Detin, me fushë në vend të tij, Saranda kishte për të qenë një Myzeqe në jug. Pa ajrin me aromë jodi, pa “frutat e detit”, pa turizmin e tokës, që vjen nga deti, pa klimën e butë që vjen nga deti, çfarë Sarande do të kishte qenë?!
Pa njëmijë të mira, që nuk numërohen dot, deri tek ngasja për të qenë një lundërtar a notar, deri tek frymëzimi që zgjon për poezi e pikturë. Vetëm Sarandë nuk do të ishte.
Kam kuptuar se Detit të saj, vendasit i drejtohen së pari për të marrë kënaqësinë e kredhjes në ujërat e tij. E këto ujëra për ata janë si avllia e shtëpisë ose si pishina e vilave të të kamurve të kohës. Me ndryshimin që ne e kemi dhuratë nga natyra.
Ne i drejtohemi Detit tërë vitin. Edhe se kemi falas ngjyrën bronz të lëkurës, pa qenë nevoja të përdorim kremëra përshpejtues apo mbrojtës nga dielli. Tregu i kremërave të diellit dhe detit, do të kishte falimentuar, po të ishte për sarandiotët, që i refuzojnë apo injorojnë ato.
Ata të parët kanë parë dhe janë bindur edhe për efektet kurative që kanë ujërat e Jonit, sidomos mbi lëkurën.
Por kjo do të ishte shumë pak, për ta dashur kaq shumë Detin. Është kthyer në mendësi të pushtetshme ideja se tek Deti sarandiotët kanë mjekun ideal për çdo shqetësim trupor dhe mjetin shërues nga çdo dhimbje muskulore e trupore dhe nga një tufë sëmundjesh, që vijnë rrotull. Deti është terapia dhe farmacia më perfekte, që ekzaminon dhe shëron. Prandaj nuk ka asgjë çuditëse kur ti njeh njerëz përtej të 85-ave, që nuk njohin doktor e ilaçe, sepse kanë “lidhur miqësi” me Detin. Nuk të çuditin as personazhet reale që kam njohur në të përditshmen e këtij qyteti, të cilët, kur mjekësia e Shqipërisë dhe Greqisë “ngriti duart” para paralizës që po hiqnin, si shpresë të fundit, u hoqën zvarrë deri në buzën e Detit. Dhe, ditë pas dite, atje gjetën shpëtimin dhe shërimin e plotë, krejtësisht në kufijtë e të pabesueshmes.
As me këto që thash, të mirat e Detit, nuk mbarojnë këtu. Nëse shumëkund fukarallëku është hall, për sarandiotët skamja është turp. Pasi deti i tyre ofron mundësira pa fund. Nga ato për të mos qenë i skamur e deri tek ato që të bëjnë të kamur. Jashtë këtij përshkrimi nuk lihen dot pamjet që shihen si më të rëndomtat. Jo vetëm gjuetia e peshkut me sanalle e peshkatore, që me peshkimin mbajnë jetën e zhvillojnë biznesin. Më intrigojnë gjithmonë pamjet e atyre njerëzve që me Detin i lidh filli i fillos së peshkimit me grep, mëngjeseve herët apo mbrëmjeve. Rrallë ndodh që monologu i tyre i heshtur të mos mbushet me emocionin e nxjerrjes së grepit plot, nga ujërat e Jonit. Një dorë peshk, sa për mezen e preferuar në një tryezë miqsh, apo në rastin më të mirë, një çantë për shtëpinë në fund të ditës, është plotësues i hobit dhe ndihmë për ekonominë familjare.
Të tjerë, që notojnë thellësive me maskë, pothuaj nuk ka ditë të dalin bosh nga një lloj tjetër gjuetie në det. Janë disa ata që peshkut apo oktapodit i ngrenë kurthe, ashtu si laqet e gjuetarëve të tokës. Sheh jo pak prej atyre që me Detin flasin një gjuhë tjetër: ata çojnë në fund të detit koshat e telit. Me karemin e ushqimit brenda dhe me një portëz, që aq sa lejon vetëm hyrjen e peshkut brenda, po aq garanton ngecjen e tij në këtë kurth të zgjuar.
E të tëra këto i ofron Deti, për njeriun e hobeve, për njeriun praktik dhe njeriun që me Detin flet të gjitha llojet e gjuhëve.
Ajo ku takohen të gjithë, është e vërteta e thënë me fjalën e meçur: “nuk ka më mirë se sa afër Detit…”