Sarandë/ Ndërtuan pa leje në zonën e mbrojtur të quajtur “Kurora e qytetit”, vihen në pranga 4 shtetas

Policia e Sarandës ka arrestuar katër persona të cilët po ndërtonin pa leje në zonën e mbrojtur të qytetit të Sarandës.

Katër punëtorët ishin kontraktuar nga 49-vjeçari Aleksandër Rica, i cili është shpallur në kërkim, bën me dije policia.

Sipas informacioneve, ai kishte planifikuar të ndërtonte një vilë në zonën e quajtur “Kurora e qytetit”, ku është i ndaluar ndërtimi

NJOFTIMI

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e veprimit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për marrjen e masave me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e ndërtimeve pa leje, veçanërisht brenda vijës së verdhë në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, bazuar në informacionet e marra se në vendin e quajtur “Kurora e qyetit”, në lagjen nr.3, Sarandë, po kryeshin punime pa leje, menjëherë kanë ushtruar kontroll për verifikimin e informacionit dhe kanë konstatuar ndërtimin e një objekti pa leje.

Si rezutat u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Dhënie ndihmë për ndërtim të paligjshëm” i shtetasve: Sh. A, 47 vjeç, banues në Sarandë, F. B 46 vjeç, banues në Mallakstër, E. P, 37 vjeç, banues në Delvinë dhe A. Rr, 51 vjeç, banues në Librazhd.

Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas (punetorë) jane kontraktuar nga shtetasi A. R, dhe po kryenin punime për ndërtimin e një objekti (vilë), në vendin e quajtur “Kurora e qytetit”, Sarandë, e cila është zonë e mbrojtur.

Në vijim të veprimeve u bë dhe shpallja në kërkim policor për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, e shtetasit A. R, 49 vjeç, banues në Sarandë. Vijon puna për kapjen e tij dhe vënien para përgjegjësisë ligjore.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Dhënie ndihmë për ndërtim të paligjshëm”.