Ndalimi i trapanëve, çekiçëve, betonereve etj, Adrian Gurma: Arsyeja pse e morëm këtë vendim
Një nga vendimet që është mirëpritur së fundmi nga qytetarët dhe nga turistët në Sarandë është vendimi i bashkisë për ndalimin e punimeve gjatë sezonit turistik. Vendimi i bashkisë thekson se nga data 1 korrik deri më 30 shtator do të ndalohen punimet me çekiçë, trapanë, qarkullimi i fadromave, betoniereve etj.
Ky vendim është marrë për të pasur një qetsi dhe komoditet për turistët që shpesh herë janë ankuar për këto problematika.
I ftuar në “Wake Up” kryebashkiaku Adrian Gurma ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi.
“Ata që vijnë në Sarandë duan të shijojnë diellin, detin, plazhin dhe nuk ka asnjë arsye pse të bezdisen nga këto punime dhe nga zhurma që gjenerojnë këto punime. Bashkia e Sarandës çdo vit ka qenë e gatshme për të pritur turistë dhe në kuadër të përgatitjeve ky urdhër ka qenë i përhershëm.
Faktikisht këtë vit edhe për shkak të situatës ne e kemi gjeneruar me herët këtë urdhër dhe ua kemi bërë të ditur bizneseve e operatorëve që ata të marrin masa dhe më datë 1 korrik kur ky urdhër hynë në fuqi të jenë të përgatitur që pas kësaj date nuk do të ketë më të kësaj veprimatare që do gjenerojnë zhurma në territorin e bashkisë së Sarandës.
Është shumë e rëndësishme për ne sepse turizmi është aseti jonë sepse të gjithë punojmë me turizëm dhe asnjëri nuk do të donte që bizneset e tyre të dëmtoheshin nga këto aktivitete”, u shpreh Adrian Gurma. /Sarandanews.com/