Nga sot, pa Nikollaq Papën
Nga Thoma Nika
Sot edhe Saranda ndahet prej tij, pasi një ditë më parë u nda nga kjo jetë.
Zemra e mbushur me tinguj dhe me qortim të përhershëm të realiteteve tona, nuk e çoi më tej.
Dhe rri e rendis ato që gjeja tek ai më të spikatura.
Dhe skicoj në përfytyrimin tim, portretin që ndërtoi Nikollaqi këtu në Sarandën, që e donte vetëm të njerëzve që u këndon shpirti.
Dhe ja çfarë më mbetet nga tërë ky monolog, në një ditë heshtjeje nderuese si kjo e sotmja, e para pa Nikollaqin.
ISHTE: një muzikant që la shenjë në jetën kulturore e artistike të Sarandës dhe sarandiotëve, për dekada të tëra.
ISHTE: njohës me kapacitet të admirueshëm i botës dhe personazheve të artit.
ISHTE: luajtës i admirueshëm në disa vegla muzikore, deri në “xhonglim” me to.
ISHTE: dirigjent profesional dhe ekspresiv në skenë.
ISHTE: drejtues muzike me cilësi të rralla organizuese në terren.
ISHTE: njeri i buzëqeshjes dhe përqeshjes, përmes humorit dhe satirës plot kolor, në përditshmërinë e tij.
Pse të mos e them: ishte i tillë, shpesh duke marrë në sy rrezikun, që vinte prej gjithë kësaj që ai ishte dhe prej “patronazhistëve” të fjalës së tij.
ISHTE….
Ky ishte për mua Nikollaq Papa.
Ai nuk është më, por këtë portret e la midis nesh.