Hapet dogana e Qaf Botës/ ‘Kapriçot’ e politikës greke lënë sërish të bllokuar Shqipërinë
Athina vazhdon masat ekstreme ndaj Shqipërisë dhe Turqisë. Me një qëndrim të pa justifikueshëm,qeveria greke ka vendosur të lërë të pa ndryshuara masat dhe të mbajë të mbyllura doganat që lidhin vendin me Shqipërinë dhe Turqinë.
Vendimi u mor prej zv.ministrit të Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Kardhalias dhe vlerësohet si tepër i ashpër dhe “dënues” për Shqipërinë dhe Turqinë, edhe pse shifrat e pandemisë në vendin tonë janë shumë herë më të ulëta sesa analogjia e Greqisë për 100.000 banorë.
Kështu, në doganat greke nuk do të lejohen të kalojnë turistët shqiptarë deri në 14 qershor, ndërsa mbeten të njëjtat kuota për kalimet.
Kakavija 400 persona, Kapshtica 400 punonjës sezonalë, ndërsa për herë të parë nga marsi i 2020 hapet dogana e Qaf Botës me kapacitet deri në 250 persona në ditë.
Duket se Athina “dënon” Tiranën dhe Ankaranë për shkak të marrëdhënieve të tyre të mira, pasi tashmë askush nuk beson më se janë shifrat e pandemisë ato që mbajnë bllokuar kufirin, por vetëm ‘kapriçot’ e politikës greke, ose e zv.ministrit grek të Mbrojtjes së Qytetarit, qëndrimet anti shqiptare të të cilit tashmë janë publike në të gjithë Greqinë.
Në çdo rast, shtetasit shqiptarë që dëshirojnë të udhëtojnë për turizëm në Greqi, do të duhet të zgjedhin Turqinë, ose të presin deri në datën 14 qershor me shpresën e hapjes së kufirit.
Edhe kategoritë që lejohen të udhëtojnë drejtë Greqisë kanë zgjedhur të kalojnë nëpërmjet kufirit të Maqedonisë së Veriut, për shkak të pamundësisë për të siguruar një PLF më herët se 7 ditë përpara udhëtimit nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës.