Gjiknuri: Ndryshimi i kahjes politike sjell bllokimin e çdo investimi në Vlorë
Kafen e mëngjesit, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri e konsumoi me banorët e Rajonit 5, në zonën e njohur si ish-shtëpia e oficerave. Teksa dëgjoi problematikat që kërkojnë zgjidhje, Gjiknuri kujtoi punën e bërë për trasformimin e zonës, e cila ka patur disa investime të rëndësishme gjatë dy mandateve të para të qeverisjes së Partisë Socialiste. Investime që Gjiknuri theksoi se do të jenë edhe më të shumta në këtë mandat të tretë i cili do të përqëndrohet në rikualifikimin urban të lagjeve dhe zonave informale të qytetit.
Gjiknuri u ndal tek alternativat e tjera politike që po u serviren vlonjatëve përmes premtimeve të shumta, të cilat mbeten vetëm premtime elektorale që asnjë vlonjat nuk i beson. Sipas Gjiknurit se vlonjatët i kanë provuar të gjitha alternativat e tjera që jo vetëm nuk kanë bërë asgjë për Vlorën por përkundrazi e morën peng zhvillimin e Vlorës duke e lënë në kaos për vite me rradhë.Të njëjtën gjë do të bëjnë nëse vijnë në pushtet.
“ Vlonjatët janë të lodhur nga trazirat dhe sjellja indiferente që kanë treguar ata politikanë që sot kërkojnë votën tuaj. Kryeministri Rama ishte i vetmi që e tregoi përmes fakteve konkrete vlerën që Vlora ka për të”, theksoi Gjiknuri.
Sipas tij, puna e nisur dhe vazhdimi i çdo investimi mbetet sfida kryesore për të gjithë ne.
“Puna e nisur duhet të vijojë. Nëse vjen në pushtet Partia Demokratike, gjithçka e nisur do të mbetet në mes. Unë personalisht zotohem që për zonën tuaj të siguroj investime infrastrukturore për t’ju kthyer juve atë mungesë vëmendje që keni patur ndër vite. Është kjo arsyeja përse zgjodhja vet që në zgjedhjet e 25 Prillit të jem përfaqësuesi juaj duke ju premtuar se do të jem një zë i fortë për të zgjidhur shqetësimet tuaja si banorë të zones, duke kërkuar vazhdimisht investime për Rajonin 5. Ashtu siç në këto dy mandate zgjidhëm problemin e rrjetit energjitik në zonën tuaj, ashtu jemi po ne, të vetmit që do të sigurojmë investime të mëtejshme në rrjetin e ujësjellësit dhe në rehabilitimin e plotë të akseve rrugore, në mënyrë që edhe zonat informale të Vlorës të ofrojnë kushte bashkëkohore njësoj si qendra e qytetit që është transformuar rrënjësisht, duke ofruar potenciale të shumta zhvillimi, ashtu siç një qytet bregdetar duhet të ofrojë për të afruar sa më shumë turistë të huaj”, u shpreh Gjiknuri.
Mbështetja juaj ndaj Partisë Socialiste, tha ai, përkthehet në mundësi për zhvillimin e mëtejshëm të Vlorës, si një garanci për të ardhmen e fëmijëve tuaj.
“Kryeministri Rama është i vetmi që ashtu siç e nisi transformimin e Vlorës, do ta çojë deri në fund misionin e nisur për Vlorën dhe me Vlorën. Mirënjohjen ndaj Kryeministrit Rama vlonjatët më 25 Prill do ta tregojnë përmes votës masive për Partinë Socialiste”, deklaroi Gjiknuri.
Damian Gjiknuri takim me banorët e fshatit Bishan të Novoselës
Ndalesa e rradhës e drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri ishte fshati Bishan i njësisë administrative Novoselë. Të pranishëm në këtë takim ishin dhe deputeti Fate Velaj dhe kandidati për deputet Ervis Moçka. Në bashkëbisedimin me banorët e zones, Gjiknuri u ndal në problematikat e fshatit Bishan ndërsa theksoi faktin se në këto dy mandate të qeverisjes së Partisë Socialiste ka patur infestime infrastrukturore të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e jetës së banorëve. Gjiknuri pohoi se në mandatin e tretë, i cili do të jetë mandati i zonave rurale, investimet do të jenë të shumta, deri në zgjidhje të plotë të kërkesave të banorëve.
“Në këto vite qeverisje ne e kemi demostruar ndryshimin në Njësinë Administrative Novoselë. Ju jeni vet dëshmimtarë të mbajtjes se premtimeve me punë konkrete për zonën. Në këto dy mandate zgjidhëm problematikën e rrjetit elektrik duke mundësuar ndriçimin e fshatit Bishan, ndërsa është parashikuar investimi në rrjetin e ri të ujësjellësit, investim i qeverisë Rama e që kap vlerën 8 milion euro. Aktualisht ka filluar dhe rehabilitimi i aksit rrugor i cili përmes infrastrukturës bashkëkohore që do të ofrojë do të ndikojë në potencialin ekonomik të zonës. Vlora ka qënë kampionia e investimeve të Kryeministrit Rama”, pohoi Gjiknuri.
Më tej, ai u ndal dhe në faktin se Partia Socialiste është e vetmja alternativë bindëse përmes punëve konkrete ndërsa kundërshtari politik nuk ofron asnjë siguri përveç kërcënimeve për të kthyer pas gjithçka të bërë deri më tani.
“Përmes votës për Partinë Socialiste vlonjatët do të vërtetojnë se janë pro investimeve. Vlora ishte më e prekura nga trazirat e krijuara kur opozita ishte në pushtet. As Luli e as Berisha nuk do t’i kthejnë pas vlonjatët por ata në mënyrë masive do të votojnë për Partinë Socialiste, duke dëshmuar se nuk i duan tipat si Luli e si Meta që përveç premtimeve boshe nuk kanë se çfarë të ofrojnë”, theksoi Gjiknuri.
Kandidati për deputet, Ervis Moçka duke u ndalur tek investimet e realizuara nga qeverisja socialiste në këto dy mandate theksoi rëndësinë e mbështetjes masive të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit si një garanci për vijim të projekteve të parashikuara për fshatin Bishan dhe për të gjithë Njësinë Administrative të Novoselës.