Edhe njëherë për Vlorën
Nga Ardi Kollozi, kandidat për deputet i Bindjes Demokratike
Të nderuar miq, shokë, bashkëpunëtorë, të njohur, bashkëqytetarë të Vlorës.
Me respekt dhe përulësi ju njoftoj se kam vendosur të garoj për deputet në Qarkun e Vlorës në zgjedhjet e 25 prillit. Për shumë kohë kisha menduar se kontributi dhe rrugëtimi im në politikë mbaroi atje, në vitin 2013, natyrisht krenar për të gjitha ato objektiva të realizuara, në dukje të vështirë e shpesh të pamundur, ngarkuar edhe me peshën e atyre, që mund t’i bënim ndryshe apo t’i bënim më mirë. Ato kontribute që mund t’i kishim vlerësuar më shumë, por edhe rastet kur ekzagjeruam me dike, që meritonte më pak.
Pata asokohe e kam sot kurajon morale e politike, të marr përsipër të gjitha përgjegjësitë, për ç’ka u konsideruan vendimmarrje jo oportune, gabimet, madje edhe fajet për ndonjërin, por rezervova të drejtën që për ato, të cilat koha do t’i provonte si suksese, të konsiderohen në një pjesë të madhe edhe sukseset e mia, ashtu si edhe betejat e fituara politike: 2 herë deputet i Vlorës, kryetar partie, beteja në krye të Aluizni-t, një emocion i veçantë e sfidë më vete, e nevojshme për të mirën e të ardhmen e mijëra familjeve.
Por ka pasur edhe gara politike të humbura, si ajo për Bashkinë e Vlorës, përtej faktit të një numri rekord votash (19.000), fushatës entuziaste, pozitive me propozime konkrete të zhvillimit perspektiv të Vlorës (projekti i lungomares, pedonalja, trami, etj). Ajo humbje, e vitit 2013, ishte një ndëshkim i merituar, pasi nuk mundëm të kontrollonim e ndërtonim instrumentet e duhura për të frenuar fenomene, si korrupsioni, apatia, mendjemadhësia, shkëputja nga realiteti.
Ndaj dhe këto vite shërbyen si një kohë e domosdoshme për të valorizuar idetë, projektet për Vlorën, e tashmë përpos energjive mbart eksperiencën, pjekurinë e qetësinë e vlerësimit objektiv të situates, në të cilën ndodhemi, e vlerësoj e gjykoj njësoj si ju:
Është e domosdoshme për Vlorën, për Shqipërinë një ndryshim i thellë. Koha dëshmoi e konsideroi rezultatet tona si arritje të shumë objektivave, e pikërisht koncepti i rezultatit dhe i arritjeve është ai që më jep mundësinë për t’u rikthyer, për t’i dhënë jetë projekteve ambicioze e, pse jo, për të shlyer e sistemuar ato, që nuk u bënë si duhej në të shkuarën.
Ndaj ky rikthim i imi në politikë paraprihet nga një mirënjohje e thellë për këdo ndër vite më ka mbështetur.
Vendimi im për të kandiduar ka qenë pa dilema, pasi jam i bindur se Vlora ka nevojë për kontributin dhe eksperiencën time, e për më tepër kjo ngjarje ndodh në një periudhë të veçantë të jetës sime, kur jam tepër i angazhuar nga pikëpamja profesionale, por nuk mund të mos i përkushtohem totalisht kësaj sfide të bukur.
Kjo zgjedhje u jetësua edhe pas vendimit që së bashku me një grup miqsh morëm, për të krijuar Bindjen Demokratike, si një alternativë, si një mundësi zgjedhje, përtej partive të vjetra dhe e gjykoj këtë vendim të drejtë e të duhurin, pasi Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për ndryshim, ndryshim të thellë, të gjithanshëm, shumëplanësh, dhe jo thjesht një rotacion. Ndaj jam i bindur se për mënyrën si jemi sjellë, për programin, mesazhet, energjinë dhe forcën, për vendimmarjet e deritanishme, transparencën dhe barazinë që promovojmë, jemi alternativa politike e duhur.
Jam krenar që kryesoj listën e Bindjes Demokratike për Vlorën, e cila ka në radhët e saj, njerëz të nderuar, vajza e djem parimorë, energjikë e plot ide, e jemi të bindur se ndryshimi është i mundur e do ta realizojmë së bashku. E pra, të dashur bashkëqytetarët e mi, edhe mund të kishim vdekur politikisht, por koha dëshmoi se ne do të rikthehemi, me pjekurinë e duhur politike, me përulësi, përgjegjësi e qëllimin për të bërë më të mirën për Vlorën e për të gjithë ne, familjet tona, fëmijët tanë.
Ndaj theksoj se kjo është sfida më e bukur që kam pranuar e iniciuar ndonjëherë, sepse është një garë që jep shpresë, mua të parit, e gjithë vlonjatëve e shqiptarëve. Të dashur vlonjatët e mi, jam sërish në garë, pasi jam i bindur se do të më vlerësoni mua, familjen time, prindërit e gjyshërit e mi, i bindur se ky qytet di t’i njohë vlerat.
Unë kthehem për të qenë zgjidhje e mundësi zgjedhje për ata që më kanë besuar, të verifikoj se akoma më besojnë e jam i bindur se në krahë do të kem shumë e shumë prej jush, që dëshirojnë me shpirt e zemër ndryshimin e vërtetë dhe që ende besojnë në një të ardhme më të mirë në këtë vend.