Rama i bën ‘dalje’ Alket Hysenit, nuk e fton në mbledhjen e socialistëve të Vlorës
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur ditën e sotme në vilën qeveritare në Vlorë, kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 25 prillit.
Si duket Rama i ka bërë “dalje” deputetit Alket Hyseni, ky i fundit u tërhoq nga kandidimi se u vendos i 11-i në listë.
Rama nuk e ka ftuar Hysenin të jetë pjesë në mbledhjen e socialistëve në Vlorë dhe nuk e përmendi tek emrat e deputetëve që do të vazhdojnë ta mbështesin.
Ndër të tjera kryeministri tha se në Vlorë synojnë 8 deputetë me maksimalen 9-të.
“Ne kemi një skuadër më e gjerë sesa lista e deputetëve sepse në të do të jenë bashkë me ne deri në 25 prill edhe deputetët që aktualisht janë në Kuvendin e Shqipërisë, që nga Vilma tek Fatja, Andrea etj të cilët kanë pasur një kontribut të posaçëm në këto vite të mandatit të dytë të cilët kanë qenë super korrekt dhe të cilët kanë qëndruar vijimësisht pranë komunitetit.
Këtu ne jemi një skuadër, ku pozicionet ndryshojnë, secili dhe secila bën detyrën sipas pozicionin dhe të gjithë bashkë shtyjmë përpara një progres që në Vlorë është në sytë e të gjithëve. Ndërkohë që jemi të hapur edhe për të tjetër djem dhe vajza që meritojnë të kenë shansin e tyre. Objektivi ynë për Vlorën është që të marrim pa diskutim si bazë numrin që kemi, 8 deputetë dhe deputete, dhe të synojmë maksimimizimin duke kapur objektivin prej 9 deputetesh. Është një sfidë që e kemi në radhë të parë me vetveten sepse natyrisht që kemi bërë shumë për të gjithë Qarkun e Vlorës. Sigurisht që ka ende nevojë për ndryshim, ka nevojë padiskutim për investime të tjera që të sjellin më shumë ekonomi dhe punësim, ka nevojë për të pasur shkolla të rindërtuara apo të reja ende, ka nevojë ende për disa rrugë” , tha Rama.