Jetonin në kushte të mjerueshme, bashkia e Sarandës u pastron banesën! Emocionojnë dy motrat me aftësi të kufizuara: Na duket sikur jemi në parajsë

Pas publikimit në Report Tv të rastit të motrave Alkina dhe Maria Zhulati nga Saranda më aftësi të kufizuara, të cilat jetonin në kushte shumë të rënda higjeno-sanitare dhe angazhimit të marrë personalisht nga kryetari i Bashkisë Sarandë Adrian Gurma, gjendja e tyre është ndryshuar dhe përmirësuar ndjeshëm.

Report Tv ka shkuar në shtëpinë e 2 motrave, e cila është pastruar nga 2 persona të caktuar nga bashkia Sarandë, ndërsa në ndihmë ka ardhur edhe një biznes lokal, duke vendosur detergjentët për pastrimin.

Pavarësisht se puna nuk ka përfunduar, Alkina shprehet se tani jetojnë si në parajsë.

‘Shumë mirë ndodhem, sikur jam në parajsë, shtëpia është shumë mirë”, tha Alkina.

Nga ana e bashkisë Sarandë është marrë angazhimi edhe për mobilimin e ambienteve të shtëpisë, deklaratë që kryebashkiaku Gurma e bëri gjatë një interviste në Report Tv. Gurma tha se për 2 motrat tashmë është gjetur një çift që do të kujdeset për to, kundrejt një pagese të caktuar nga bashkia Sarandë.