Dilemat e Bashës për Sarandën: Zonë e lirë për PDIU-në apo një kandidat i PD-së?!
Vlora është një ndër qarqet ku llogaritë elektorale të partive politike janë të vështira sepse duhet të marrin në konsideratë komunitete dhe sensibilitete të ndryshme.
Nga njëra anë është komuniteti çam e nga ana tjetër është minoriteti grek. Po të ndalemi te Saranda, në radhët e PS-së kemi një situatë më të qartë me kandidimin e Anila Denajt.
Ndërsa në kampin opozitar situatë është pezull. Lulzim Basha ka një hall të madh me PDIU-në, e cila i kërkon një kandidat në vend të sigurt edhe pse në zgjedhjet e vitit 2017 mori në këtë qark vetëm 3608 vota, aq sa nuk mjaftojnë të nxjerrin një deputet.
Thënë këto, pesha e PDIU është e vogël aq sa t’i imponohet Lulzim Bashës për një vend të sigurt në listë, kur ndërkohë ekziston edhe frika e trafikut të mandateve pas 25 prillit.
Ajo që kërkon Basha për një listë me kompakte dhe me njerëz besnikë të tij për problemin e 26 prillit, bëhet vetëm me kandidatë që vijnë nga radhët e PD-së. Në Sarandë demokratët i propozuan Bashës dy emra; Kreshnik Bozho e Jolio Dine.
I pari ka humbur për pak vota zgjedhjet e vitit 2015 ndërsa Dine shihet si një ndër figurat e reja premtuese të demokratëve në Sarandë. Bashës i intereson më shumë të caktojë një kandidat të vetin sesa të fusë në listë të sigurt një nga radhët e PDIU-së, pesha e së cilës në Sarandë, Delvinë e Konispol është ulur ndjeshëm nga njëra palë zgjedhje në tjetrën.
Në zgjedhjet e vitit 2017 PDIU ka marrë në Sarandë dhe Konispol vetëm 1048 vota, ndërkohë që aktualisht kjo parti është thuajse pa struktura në Sarandë.
Emri që përflitet më shumë nga PDIU është ai i Alket Veliut. Ndërkohë që PDIU dhe PD janë ende larg një marrëveshje dhe në nivel kombëtar. Pak ditë më parë Shpëtim Idrizi la të hapur mundësinë që të hynte në zgjedhje edhe me Edi Ramën.
LSI në Vlorë do të kandidojë Luan Ramën në krye të listës ndërsa në Sarandë pritet të jetë Dhimitraq Lapa. Bindja Demokratike përfaqësohet me Ardian Kollozin dhe Dashamir Tahirin. Qarku Vlorë çon në Kuvend 12 mandate deputetësh.
Socialistët kanë në krye Edi Ramën dhe Damian Gjiknurin ndërsa demokratët Bujar Leskajn, i cili është ndër drejtuesit e paktë politik nga radhët e PD-së që e ka nisur punën në terren muaj më parë.
Ditët në vazhdim pritet të ketë zhvillime të tjera përsa i përket kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit.
Nga PS-ja pritet gjithashtu edhe shpallja e fituesve të aplikantëve në nismën “Deputeti që duam”.