Vlorë, nis puna për shndërrimin e zonës së portit në stacion turistik

Në qytetin bregdetar të Vlorës nisi sot puna për ta shndërruar zonën e portit në stacionin turistik që pakkush ka besuar.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i cili thekson se “sapo ka filluar puna në kantier, për të liruar hapësirën në të cilën do të realizohet ky projekt infrastrukturor”.
“Në segmentin që lidh rrugën transballkanike me portin, ka nisur ndërhyrja që shumë shpejt do të transformojë një nga zonat më të vizituara të viteve të fundit”, – tha Leli.
Sipas tij, bashkia Vlorë ka marrë masat që duhen për transferimin e banorëve në ambiente të tjera.
“Nesër, kur e gjitha t’i ngjajë një parku të pikturuar, me varka buzë ujit, askush nuk do të kujtohet, as për gërmadhat e ditëve të para, kur nisi një nga projektet më të rëndësishme për Vlorën, e as për ndotjen vizuale nëpër të cilën jetoi kjo zonë, ndër krizat e viteve të shkuara”, – theksoi Leli.
Më herët Kryeministri Edi Rama njoftoi se “në muajt në vijim do të fillojë projekti i rindërtimit të plotë të shëtitores përballë portit, aty ku faktikisht bëhet ndarja midis rrugës automobilistike që shkon drejt Lungomares dhe pjesës tjetër që përdor atë segment si shëtitore, ku do të ndërtojmë një park të madh qendror për Vlorën”.
Qyteti i Vlorës gjithnjë e më shumë është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj, në çdo stinë të vitit.