DETAJET/ Tuneli i Llogarasë përfundon për 3 vite, 155 mln euro për ndërtimin e saj

Është hapur zyrtarisht tenderi për ndërtimin e tunelit të Llogarasë. Projekti infrastrukturor do të financohet nga buxheti i shtetit, 155.6 milionë euro. Hapja e garës ndërkombëtare u njoftua më datë 12 dhjetor nga vetë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.

Kriteret teknike dhe të gjitha detajet e vendosura në dokumentet e tenderit janë bërë mbi bazën e projektit të detajuar inxhinierik nga kompania austriake IC Consulting, e cila fitoi tenderin për projektimin e tunelit.

Të gjitha kompanitë e interesuara dhe që kanë një eksperiencë afatgjatë në ndërtime të kësaj natyre kanë mundësinë që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Infrastrukturës ofertën e tyre deri më 2 shkurt të vitit 2021. Më pas të gjitha ofertat do të verifikohen dhe analizohen nga komisioni i vlerësimit të ofertave që do të shpallë edhe ofertën ekonomike më të favorshme.

Pas nënshkrimit të kontratës kompania fituese ka afat 37 muaj që të përfundojë në kohë tunelin i cili është premtuar që do të jetë i kalueshëm në 2024, ndërsa punimet për këtë projekt infrastrukturor pritet të nisin në prill 2021.

Në dokumentet e tenderit është vendosur edhe sigurimi i kontratës, dhe kompania fituese fillimisht duhet të dorëzojë me shkrim 10% të vlerës totale të ofertës në mënyrë që të garantohet ekzekutimi i punimeve dhe detyrimeve të tjera kontraktuale.

Tuneli i Llogarasë do të jetë i gjatë 5.9 kilometra dhe do të përshkohet nga qytetarët për rreth 7 minuta duke bërë të mundur shkurtimin e kohës që duhet aktualisht për të kaluar nga qafa e Llogaras. Po ashtu kjo vepër do të lidhet në hyrje dhe dalje të tij me dy ura 110 dhe 40 metra.