Meditim nga një udhëtim në Delvinë, qytetin i dikurshëm me famë në historinë e Shqipërisë
Nga Ndriçim Kulla
Sot, në erën e globalizmit si dhe të argëtimit me dëfrime të shumta të kohës, ndoshta mjaft shqiptarë shumë pak gjëra dinë për historinë e tyre. Bashkë jetesa me qejfin apo edhe me hallet i ka bërë pak të shurdhër në këtë drejtim.
Ndër disa tregues të mospërfilljes ndaj historisë së atdheut të tyre është njohja e cekët e qendrave urbane që ekzistojnë në Shqipëri.
Një ndër ato qytete e dikurshme me emër historik që është harruar prej kohësh nga publiku është edhe Delvina.
Më këtë synim, për të ngjallur nga harresa e kujtesës sonë kombëtare, para disa ditësh duke shkuar për në Sarandë më mbërtheu një ndjenjë e pa kapërcyeshme nostalgjike që këtë udhëtim ta bëja duke kaluar nga Delvina që është edhe “kryeqyteti” i krahinës labe të vendlindjes time. Por të vish në Delvinë s’lidhet thjesht me një dëshirë timen të hershme apo të tashme, por me bindjen e thellë nga historia dhe njohja ime se Delvina simbolizon një diamant të vogël me vlera te papërsëritshme një nga zonat me të ndritura e të shkëlqyera në historisë e kombit tonë, që e ka pasuruar atdheun në të gjitha fushat e aktivitetit të tij.
Duke nisur udhëtimin tim drejt saj përmes luginës së lumit të Drinos duke menduar edhe qytete të tjera të harruara prej nesh, si Libohova karshi, mendja ime u fiksua për disa kohë te meditimi vetjak në atë krim të madh historiografik që sistemi, që u rrezua, i diktaturës komuniste kreu për disa prej qyteteve të vogla patriotike të Shqipërisë së Jugut, që dikur, gjatë gjithë shekullit XIX e gjysmës së parë të shekullit XX, u bënë promotore të rilindjes sonë kombëtare, politike e intelektuale në mbarë hapësirat e banuara me shqiptare, duke i lënë në braktisje.
Delvina, Libohova, Leskoviku, ishin nga ato qytete të vogla shqiptare, që vunë themele në pavarësinë e zhvillimin e Shqipërisë e më mbrapa u mbytën në krimin e braktisjes. Duke zbritur nga Qafa e Muzinë s drejt qytetit të vogël të Delvinës, m’u duk sikur harresa e shtetit vazhdon po aq dhe në ditët e sotme. Rruga e dikurshme që nga kjo qafë të çonte në portat e qytetit, ende dhe në këto çaste është në gjendjen e mjerë të dikurshme mbase edhe më keq.
Ajo rrugë historike, që duhej të ishte udha e mirëseardhjes për çdo mysafir, është kthyer në një varr për infrastrukturën e krejt këtij qyteti Ndonëse për të u bënë premtime të panumërta e u derdh zhavorr i pa fundmë elektoral, rruga e hyrjes përmes Delvinës nga Muzina nuk është ndërtuar.
Po le t’i ikim këtij ferri urban për të hyrë te “të zotërit e shtëpisë”. Nga leximet e shumta që i kam bërë literaturës tonë historike, di se rrënjët e Delvinës në histori shtrihen në disa epoka historike.
Disa kilometra më larg saj “fle” e shpërfillur nga instancat e shtetit një nga qytezat më të rrënuara tona mesjetare, ajo e Kamenicës që ndoshta i ka paraprirë qytetërimit të saj. Nga madhësia Kamenica është njësoj si qyteza e Voskopojës, po rrënimi i saj e më pas denigrimi i heshtur e bën të pavizitueshme.
Në fakt, Kamenica është dëshmi e qytetërimit mesjetar të Delvinës. Një prononcim i vlertë shkencor mbi pasurinë e saj arkeologjike është bërë nga Prof Aleksandër Meksi, i cili mund të trajtohet si pikë referimi për një projekt ku me pak pasion dhe largpamësi mund të transformohet në një destinacion të rëndësishëm turistik për jugun.
Kthimi i saj në park arkeologjik duhet të ishte detyrë për shtetin dhe për këtë unë kam arsye të shpresoj konkretisht se miku im ish-ministri i Kulturës z.Bujar Leskaj që me gjasa do jetë një nga drejtuesit potencial të Qarkut të Vlorës për vendimmarrës në zgjedhjet parlamentare të prillit do ta shfrytëzojë për të lobuar me forcë si për një projekt konkurrues për qeverinë e re fituese në zgjedhjet e prillit.
Që pas shkatërrimit të Finiqit Delvina u bë qendër e Shqipërisë aq sa në shekullin XVIII ajo u bë si “seli” e Pashallëkut të saj.
Shpirti modern i këtij qyteti nisi udhëtimin nga një familje me origjine puro shqiptare siç qe familja Delvina, e cila i dhuroi vendit aq shumë personalitete.
Në këtë derë fisnike u martua dhe paraardhësi i pavarësisë së Shqipërisë, Ali Pashë Tepelena, të cilit po një intelektual me emrin Haxhi Sherreti i kushtoi një poemë shumë të bukur me titullin “Alipashiadha”.
Delvina ishte e para në Shqipërinë e Jugut që u kthye në qendrën e kryengritjeve kundër Tanzimatit. Qe po ajo e para në Toskëri që mbështeti Lidhjen e Prizrenit.
Po aty në 1910 u ngrit çeta e parë në Labëri me Namik Delvinën në krye. Këtu në 4 dhjetor 1912 u shpall pavarësia mes përleshjeve me shovinizmin grek. Prej saj doli kryeministri i qeveris së Lushnjës, Sulejman Delvina.
Ky avokat i shquar, anglisht folës i Perandorisë Osmane, qe drejtuesi i fshehur në prapavijë i Luftës së Vlorës, e cila e ktheu vendin në kufijtë e 1913, e ngriti shtetin e ri duke caktuar si kryeqytet të ri një qytet si Tirana.
Në periudhën midis dy luftërave botërore Delvina njohu kulmin si qendra e vetme ekonomike e një zone me Sarandën e Konispolin.
Ishte pikërisht atëherë kur nis shkollimi masiv i djemve të saj në shkollat e mesme më të mëdha për të vijuar më pas në Europë.
Ajo pati meritën që të njihte herët tolerancën e madhe fetare, ashtu si dhe mirëkuptim të madh dhe model në kontaktet me minoritetin e respektueshëm grek.
Në atë epokë banorët e saj u bënë dëshmitarë të surprizave, si qe ajo e martesës për herë të pare në historinë e popullit tonë të një delvinjoti të njohur në fushën e mjekësisë, dok. Melos, me një vajzë të komunitetit çifut të vendosur me kohë në qytet.
Me këtë akt Delvina u vu në rolin e pararojës për martesa të tilla, duke e ushqyer tolerancën model mes bashkësive fetare në vend.
Në rrjedhën e viteve u shfaqën në skenën shumëngjyrëshe të saj një numër i madh intelektualësh që hapat e parë i hodhën këtu. Sami Koka, Abdulla Rami, Eqrem Hado, Astrit Delvina ishin vetëm disa nga grumbulli i stërmadh i moshatarëve të tyre të krahinës të cilët rrezatuan me karrierën individuale me profesionalizëm në të gjitha fushat ku u përfshin në biografinë e tyre në Shqipëri.
Po në ballë të këtyre individëve delvinjotë do të shkëlqente me aktivitetin e tij si jurist premtues politikani i ri në me një korrektësi shembullore institucionale, që u emërua deri Kryetar i parlamentit
Ky ishte Hiqmet Delvina, një nëpunës i lartë i shtetit, që në 7 prill 1939 i shpalli luftë Italisë në emër te mbarë popullit shqiptar.
Regjimi i ri që u instalua në vend mbas Luftës së Dytë Botërore, si kudo në Shqipëri, asgjësoi me dhunë të programuar elitat e krahinave.
Qysh në hapat e tij fillestarë ai pushkatoi një delvinjot të shquar, një ish-ministër në vitet ’20 dhe drejtues të Ballit si Ismail Tatzati. Në gjyqet e para komuniste u dënua me vdekje, po që iu kthye ne 25 vjet burg, Neki Delvina, ish- anëtar i Gjykatës sonë të Lartë, jurist i njohur si një themelues i sistemit juridik në vendin tonë, emblemë e ndershmërisë kudo në gjykatësit shqiptarë të kohës.
Si edhe për të tjerët, komunizmi u tregua për Delvinën një utopi, po që nuk e mundi dot këmbënguljen e bijve të saj për t’u vetëshkolluar. Në agimin e artit të ri të skenës një balerin delvinjot do spikaste, duke shkëlqyer dhe si student në Konservatorin e qytetit të Moskës. Ky njeri me emrin Panajot Kanaci që ishte autori i baletit “Halil dhe Hajria” është vlerësuar si koreografi më i madh shqiptar i çdo kohe.
Njëkohësisht, një delvinjot tjetër, i diplomuar për letërsi shqiptare, fitoi adhurimin e publikut tonë me librin e parë në kritikën letrare. Ky kritik me emrin Razi Brahimi u bë personalitet në kritikën tonë sigurisht në kohën e tij dhe pavarësisht politizimit të tij.
Vetëm një dekadë më vonë, në vitet ’60 në stadiumet e futbollit shqiptar një delvinjot si Panajot Pano do befasonte me gjenialitetin e tij. Miti i tij ka mbetur si i futbollistit më të shquar të gjithë kohëve. Po në vitet ’60 lexuesi do njihej me një talent letrar nga Delvina.
Ky shkrimtar ish-pjesëmarrës në luftën Nac- Çlirimtare, pionieri me emrin Sabri Godo u fut me dinjitet në letërsinë tonë me romanet e tij historike “Plaku i Butkës” dhe “Ali Pashë Tepelena”.
Ai është autori i parë modern i letërsisë sonë me tema historike. Së bashku me romanet e tjera si “Skënderbeu” e “Prova e zjarrit” Sabri Godo bëri romanin historik një gjini madhështore të letërsisë. Ai është edhe bashkë themelues i pluralizmit si lider i Partisë tonë Republikane.
Disa vite më tej një delvinjot tjetër me origjinë nga minoriteti do shfaqej me sukses si gazetar i kulturës në gazetën letrare “Drita”.
Ky studiues me emrin Vasil Melo, që ishte ndërkohë dhe një mësues i letërsisë, ka meritën historike që në 1991 në erën e ndryshimeve të kohës u vu në krye të partisë së të drejtave të minoriteteve të vendit duke qëndruar deri në fund si një politikan që punoi ndryshe nga shumë të tjerë me përkushtim të sinqertë për miqësinë me popujt dhe minoritetet.
Në po ato vite një djalë tjetër, i diplomuar ne Moskë për muzikë, pushtoi arenën e artit shqiptar me koreografinë e baleteve te tij. Ky delvinjot me emrin Agron Aliaj është autor i “Cuca e Maleve” e i disa baleteve të tjera që i dhanë tonin Teatrit të Operës e Baletit. Po ai që e konfirmoi Delvinën si tokë artistësh të nivelit të lartë ishte kompozitori Limoz Dizdari.
Ai do mbetet në muzikën e lehtë shqiptare me këngët më të mira të kohës që sot po i kërkojmë, por nuk shijojmë më për fat të keq si ato të Limozit.
“Sazet e Delvinës”, që me virtuozitetin e tyre, pasionin e tyre, me dashurinë për artin, në ditë të vështira jo vetëm për delvinjotët, por për këdo, për të gjithë shqiptarët, mundoheshin të sillnin moment gëzimi, inkurajimi midis njerëzve në familje dhe në ambiente festive.
Një histori e gjatë e artit dhe kulturës shqiptare, e cila, në fakt, në mënyrë të padrejtë nuk ka marrë atë vëmendje që i takonte nga shteti dhe institucionet e tij për vite me radhë.
Natyrisht që muzika është profesion dhe dhunti e individëve të caktuar, por që muzika të bëhet për popullin, që muzika të vlerësohet nga populli, ajo në radhë të parë duhet të dalë nga zemra dhe shpirti.
Dhe kur muzika del nga shpirti dhe nga zemra, populli e bën atë të sajin. Ndaj sot “Sazet e Delvinës” meritojnë të jenë një aset i kulturës kombëtare, i trashëgimisë sonë kulturore, por ato përjetësisht do të trashëgojnë emrin e Delvinës, ashtu siç quhen: “Sazet e Delvinës”.
Historia e Delvinës është shumë me e larmishme dhe më e thellë se sa e rrëfeva këtu nëpërmjet radhëve të këtij shkrimi modest. Janë të shumta vlerat e qytetit tim dhe të shumtë ata delvinjotë të shquar që janë dhe po bëhen pjesë në historinë e sotme ku shpresoj se në vijim do kthehem më thellë dhe më gjerë për ti përshkruar.
Këto, që i përshkrova shkurt më sipër për vendlindjen time, ndoshta janë vetëm parathënia e atyre që më duhet të pasqyroj në të ardhmen për këtë qytet historik, që duhet të rinis gjallërinë.
Gjatë udhëtimit tim sigurisht që ndjeva më dëshpërimisht hallet e jetës që këto ditë janë shtuar edhe më shumë, por duke kontaktuar me disa prej banorëve, pashë shumë shkëndija shprese.
Ky truall, ashtu si ka ditur të jetoj në rrebeshet e egra të kohës, me siguri do të dijë që të gjejë një të ardhme më të mirë. Ndonëse në një sezon pandemie kudo ndihej vetëdija për mbarësi. Kam bindjen se ky ndërgjegjësim për rrugën e lumturisë së merituar do t’i shndërrojë domosdo këta njerëz në luftëtarë të mirë drejt përmirësimit të jetës, sado e varfër të paraqitet ajo në këto ditë të trishta pandemie.