Java tjetër shumë e rëndësishme, Komiteti Teknik i Ekspertëve: Situata e qëndrueshme
Komiteti Teknik i Ekspertëve në një komunikim me mediat ka bërë një pasqyrim të situatës epidemiologjike në vendin tonë. Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli tha se situata epidemiologjike mbetet e qëndrueshme, dhe kjo javë do të shihet për të parë nëse do të ketë nevojë për masa të reja.
“Gjendja mbetet relativisht e qëndrueshme dhe do na duhet një javë tjetër për të parë a do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri dhe në bazë të vlerave që do të kemi këtë javë do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave apo do të ketë nevojë për masa të tjera. Është një javë e rëndësishme në vlerësimin epidemiologjik të situatës”, tha Rakacolli.
Ndërkohë që Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, prof. Albana Fico, tha se incidenca dy javore në vendin tonë është 356 raste për 100 mijë banorë, më e ulët se vendet e rajonit apo ato të Bashkimit Europian.
“Incidenca dy javore eshtë 356 raste për 100 mijë banorë, shifër kjo më e ulët se vendet e rajonit e cila është 848 raste për 100 mijë banore dhe më e ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian e cila në dy javet e fundit është 510 raste për 100 mijë banorë.
Prefektura me incidencë më të lartë vijon të jetë Tirana, e ndkejur nga Gjirokastra dhe Lezhë, ndërkohë që grupmosha më e prekur ëhtë 55-64 vjeç dhe 65-75 vjeç. Vihet re një qëndrueshmëri e numrit të pacientëve të shtruar në spitalet COVID që kanë nevojë për trajtim spitalor, por ka një rritje të lehtë të rasteve që kanë nevojë për trajtim në terapinë intensive. Përqindja e humbjes së jetëve në raport me numrin e të infektuarve vijon të mbetet në shifrën 2.1 %”, tha Fico.
Komiteti Teknik i Ekspertëve, vlerëson se efekti I masave me intensitet mesatar që është marrë në javët e shkuara do të shihet më qartë në javën në vijim, për të vendosur për masat që do të merren më tej.