8 Dhjetori, Hariz Mema: Ne do e bëjmë “Shqipërinë si gjithë Europa”

Kryedemokrati i Sarandës, Hariz Mema, i kanë shkruar sot një status për 8 dhejtorin për të postuar në faqen e tij.

Mema shprehet se do të jetë PD ajo që do e bëjë “Shqipërinë si gjithë Europa”.

“Sot përkujtojmë 8 Dhjetorin, Dita Kombëtare e Rinisë në Shqipëri, ku 30 vjet më parë protestat studentore e rinia shqiptare vërshuan si një uragan i pandalshëm drejt lirisë dhe hapjes, të cilët u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, sollën, pluralizimin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.

Akti i tyre i dha fund në mënyrë paqësore epokës së gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.

Me moton: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, rinia shqiptare kërkoi dhe kërkon ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të ndershme si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike, të cilat për fat të keq sot janë uzurpuar nga qeveria e “Rilindjes”.

Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa! – ndaj nderim e mirënjohje veprës së rinisë dhe studentëve historikisht.

Mirënjohje për çdo të ri që në këto ditë te errëta për vendin, ka ndezur dritën e shpresës dhe solidaritetit kombëtar!”, nënvizon Mema. /Sarandanews.com/