“Muzgu 7”/ Arrestohen 2 shtetas në Gjirokastër, transportonin emigrantë të paligjshëm
Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
U kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohet një automjet.
Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 7”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. Xh., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe I. Xh., 30 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasve E. Xh. dhe I. Xh, të cilët u kapën në afërsi të fshatit Sofratik, duke transportuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, 6 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Mercedez Benz”.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.