Propozoi shpalljen si “Gji historik” të Gjirit të Sarandës, Butrintit, Ksamilit, Kostaq Papa tërhiqet nga ligji që “zgjidh” çështjen e detit me Greqinë
Deputeti nga Saranda, Kostaq Papa, është tërhequr nga një projektligj i shkurtër dhe i thjeshtë, me anë të të cilit pretendonte se i vihej “fre oreksit të vendeve fqinje” ndaj ujërave territoriale shqiptare.
Papa kishte propozuar shpalljen si “Gji historik” të Gjirit të Sarandës, Butrintit, Ksamilit, Himarës, Borshit, Qeparoit dhe Palasës.
Në relacionin shoqërues, ai deklaronte se projektligji “synon të mbyllë spekulimet në lidhje me problemet që janë shfaqur nga kërkesat e Greqisë për delimitimin e ujërave detare dhe shtrirjen 12 milje të kufirit detar në Detin Jon”.
Papa pretendonte gjithashtu se projektligji synon që të mbyllë çdo shteg korrupsioni të mundshëm shtetëror me ujërat territoriale shqiptare gjatë bisedimeve me palën greke për të gjetur një marrëveshje.
Deputeti opozitar përmend një sërë “ngjarjesh historike”, që sipas tij, i klasifikojnë gjiret në fjalë si “gjire historike”.
“Ardhja e Eneas dhe grupit të luftëtarëve të tij pas largimit nga Troja e rrënuar; qëndrimi në Butrint apo në Onhezmin-Sarandën e sotme.
Zbarkimi I Perandorit të Romës Jul Çezari me ushtrinë e tij në Palasë rreth vitit 50 para erës sonë për të zhvilluar betejat e mëvonshme në Orik me Pompeun.
Gjatë përgatitjeve për betejat e mëvonshme. Jul Çezari ka shkelur gjithë këtë hapësirë detare dhe tokësore përreth, sepse ai vendosi prapavijën e tij në bregun lindor të Liqenit të Butrintit në afërsi të Sopikut në vendin që sot quhet Hambarët e Jul Çezarit”, thotë ndër të tjera deputeti Kostaq Papa.