Ndërhyrje pa leje duke prishur Monumentin që përkujton masakrën e Hormovës. Reagon Tërmet Peci: “Patriotët” e 2020 nuk kanë as hipotekën e patriotit dhe as të monumentit
Një përpjekje për të prishur dhe modifikuar një monument që përkujton masakrën e Hormovës kryer nga banda shoviniste greke në Prill 1914, është bërë objekt debati mes Bashkisë së Tepelenës dhe një shoqate patriotike në jug të vendit, që tenton të prish monumentin egzistues duke ndërhyrë pa leje për të ndërtuar një monument të ri.
Ndërtimi pa leje, i filluar nga një grup qytetarësh është urdheruar të ndalet dhe ata të mos prekin monumentin egzistues. Kjo ka bërë që ata të akuzojnë Bashkinë e Tepelenës për “prerje në besë” pasi pretendojnë se u ka premtuar leje për të rindërtuar Monumentin.
Bashkia sqaron se ajo mirëpret qytetarët që duan ta mirëmbjanë dhe kujdesen për monumentin, por jo ta prishin atë dhe të bëjnë një ndërtim pa leje dhe pa miratim të autoriteteve përkatëse.
Kryetari i Bashkisë së Tepelenës Tërmet Peci ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të kësaj shoqate përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Bashkia e Tepelenës është njohur me kërkesën e një grupi qytetarësh që kërkojnë të rindërtojnë një monument që përkujton masakrat e bandave shoviniste greke në vitin 1914 në fshatin Kodër buzë rrugës kryesore.
Monumenti egzistues është në ruajtje nga Bashkia Tepelene dhe i miratuar nga institucionet qëndrore të shtetit që e kanë kopetencë ngrijten e monumenteve.
Bashkia Tepelenë e ka detyrë ta ruaj dhe mirëmbajë këtë monument të shenjtë . Bashkia Tepelenë nuk ka lëshuar asnjë leje ndërtimi apo leje prishje për monumentin egzistues ndaj çdo ndërhyrje është e paligjshme dhe do të trajtohet si e tillë.
Ne mirëpresim dhe respektojmë çdo qytetar apo shoqatë që kërkon të ruaj dhe mirëmbajë monumentet, por nuk kemi tagër ligjor të japim leje për prishjen dhe rindërtimin e tyre sipas kërkesave të grupeve të ndryshme.
Sa i përket akuzave politike për “tradhëti” dhe prerje në besë, autorët është mirë ti kërkojnë diku tjetër jo tek familja ime pasi gjyshërit e mi ishin ata që sprapsën bandat shoviniste greke më 1914.
Këta patriotët e 2020 nuk kanë as hipotekën e patriotit dhe as të monumentit. Hipotekën e patriotizmit e di historia kush e ka, kurse hipotekën e monumentit e kanë ligjet e shtetit shqiptar” përfundon Kryetari i Bashkisë Tërmet Peci.