“Valët e muzikës përhapin virusin”, Blendi Klosi kërkon falje: Ja e vërteta e deklaratës time
Pak ditë më parë, shkaktoi jo pak reagim një deklaratë e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi. Ai tha se muzika është ende e ndaluar në bare e restorante, pasi valët e saj përhapin COVID-19.
Muzika, tha ministri, nuk mund të vrasë, por të qëndruarit në një ambient të mbyllur, ku lëvizjet janë më të mëdha, kondicionimi dhe të qëndruarit të gjithë së bashku kanë efektin e tyre, atëherë sipas tij këto komponentë rrisin rrezikshmërinë e përhapjes së virusit COVID-19.
Denis Dyrnjaja: Tani dua të ndalem në një moment i cili me thënë të drejtën unë dua të jem në krahë tyre, sepse janë njerëz në fund të fundit. Ndalimi i muzikës, duket sikur vetëm muzikantët, DJ dhe kjo pjesa e njerëzve që merren me argëtimin, janë më të penalizuarit. Përse u bë kjo gjë? Përse nuk e menduat më gjatë këtë punë dhe në fund të fundit me çfarë do të jetojnë këto njerëz.
Blendi Klosi: Faleminderit për pyetjen sepse në fakt pati dhe një debat të madh publik edhe besoj që edhe ju ndani të njëjtën mendim me mua, meqenëse dalim shpesh në ekran na duhet të jemi të kujdesshëm, sepse një fjalë e interpretuar.
Më the gjënë e parë, duke qenë se kam shumë miq në komunitetin e muzikantëve, kam jetuar me muzikën, jetoj, kam shijuar muzikën le të themi, padyshim atyre i duhet kërkuar një ndjesë e madhe sepse u turrën të gjithë kundra muzikës; muzika të vret, të infekton.
Në asnjë rast nuk është thënë as nuk është menduar. Nuk ka asnjë deduksion logjik, të mendosh që muzika të dëmton, muzika si muzikë.
Është një moment për t’i kërkuar një ndjesë atij komuniteti. Siç është dhe komuniteti i atyre njerëzve të cilët jetojnë me muzikën kanë vuajtur në fakt këtë sezon. Janë nga komunitetet më të goditura sepse ata jetojnë me të, sidomos periudha e verës është periudha që ata gjenerojnë më shumë para.
Edhe në fakt se jeta e njerëzve ka qenë gjithmonë prioritare, na ka detyruar që të kishte një kufizim në këtë situatë. Përsa i përket komunitetit që bëri meme, kjo është gjë humori dhe ishte shumë gjë e mirë. Pjesa e atyre që bëjnë logjikën e gjësë nga pikëpamja biologjike.
Përsëri dua ta them, valët në një ambient të mbyllur krijojnë një dinamikë të caktuar me ambientin dhe shtohet më pas, rrymat e ajrit që shtohen nga kondicionimi, shtoi më pas lëvizjen, ose kur ka muzikë të lartë njerëzit flasin me zë të lartë, djersiten më shumë, energji më e madhe, njerëzit rrinë të gjithë të bashku.
Edhe kur janë të gjithë këto faktorë, rreziku shtohet më tepër. Kjo është arsyeja që jo vetëm në Shqipëri por kudo jeta e natës. Unë kam mbaruar për elektronikë dhe në shkollë të mesme na mësonin çdo të thoshte çdo valë. Në një ambient që nuk ka ajër nuk përçohen valë.
Ndjesë komunitetit të muzikantëve. Por të qenurit së bashku në një ambient me muzikë, njerëzit ndryshojnë sjellje, nga energjia dhe rrymat e ajrit, kondicionimi sidomos, janë të gjithë efektet që bëhen të gjitha së bashku dhe shtojnë më shumë rrezikun në ambiente të mbyllura.