Dy projekte historike nisin këtë vit në Gjirokastër/ Rriten hapësirat publike në funksion të banorëve dhe turizmit
Brenda vitit 2020 në Gjirokastër fillon zbatimi i dy projekteve të rëndësishme, bypass-it Ura e Naxes-Dunavat dhe vendparkimit për automjetet në sheshin “Çerçiz Topulli”.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, thekson se “objektivi kryesor këtyre projekteve është rritja e hapësirave publike në shërbim të banorëve dhe vizitorëve”.
“Ndjehem i lumtur që më në fund do të bëjmë realitet dy investime të premtuara për zonën muzeale. Bypass-i Ura e Naxes- Dunavat do të realizohet nga buxheti i shtetit me vlerë 700 milionë lekë . Brenda vitit ky investim fillon dhe bëhet i prekshëm për gjithë zonën do të jetë një arritje, është një projekt strategjik për Gjirokastrën. Jam i lumtur që arritëm më në fund të bëjmë realitet këtë projekt”, – nënvizoi Golemi.
Kryebashkiaku Golemi theksoi se “projekti tjetër është vendparkimi për automjetet në sheshin “Çerçiz Topulli” me vlerë 650 milionë lekë. Kemi bërë dëgjesën publike dhe brenda vitit nis puna për këtë parking”.
Sipas tij, këto janë dy projekte të cilat do të sigurojnë hapësira për zhvillimin ekonomik të zonës duke kontribuar thelbësisht në nxitjen e turizmit.
“Me përfundimin e Pazarit e kemi parë se çfarë përfitimesh ka patur zhvillimi i turizmit këtë vit në Gjirokastër, pa kalimin e pazarit në pedonale nuk ishte ky fluks turistësh”, – tha Golemi.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.