Gjirokastër, Tuneli i Luftës së Ftohtë, mes pikave më të vizituara vitin e kaluar

Tuneli i Luftës së Ftohtë në Gjirokastër një relikë e diktaturës ishte mes pikave më të vizituara të interesit përgjatë vitit të kaluar.

Objekti i nëndheshëm qartëson për vizitorët rolin e zyrave të Vendkomandës së Shtabit të Mbrojtjes në kushtet e një lufte të imagjinuar bërthamore. Brenda strukturës së betonizuar me gjatësi rreth 3000 m strehohen edhe objekte të memories së kohës, dëshmi të propagandës dhe paranojës.

Këtë vit bashkia e qytetit ka bërë thirrje për dhurimin e objekteve që do ta pasuronin këtë koleksion ndërsa parashikohen edhe disa përmirësime në sinjalistikë.

Sipas Blerin Kore, përgjegjës i muzeumeve, numri i vizitorëve pritet të dyfishohet ose trefishohet këtë vit për shkak të interesit në rritje dhe shtimit të informacionit historik rreth tunelit. Megjithatë sipas tij ka ende aspekte të errëta dhe mite të shumta rreth historikut të ndërtimit të kësaj vepre një pjesë e të cilave mund të gjendet në arkivat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Gati 80% e atyre që e vizitojnë këtë objekt janë të huaj por që prej vitit të kaluar më shumë vizitorë nga Shqipëria po shfaqin interes.
Tuneli i njohur me termin “Vendkomanda e Shtabit të Mbrojtjes së Rrethit” është ndërtuar rreth 84m nën nivelin e kështjellës së Gjirokastrës dhe njihet si një nga veprat më të mëdha të mbrojtjes të ndërtuara gjatë socializmit në këtë rajon.

Tuneli me një sipërfaqe të mjediseve të brendshme që i kalon të 5000 m² ishte projektuar I tillë, që në rast sulmesh të grumbullonte atje funksionarët e Komitetit Ekzekutiv dhe Komitetit të Partisë së Rrethit. I ndarë në dy seksione paralele me 56 dhoma që ende mbajnë etiketat e kohës ky mjedis do të shndërrohej në një seli nga do të merreshin vendime dhe do të dilnin urdhërat e luftës , funksion që në fakt nuk e morri kurrë.