Gjirokastra nga ’44 e deri sot/ Ekspozita e trashëgimisë kulturore në kalanë e Argjirosë
“Gjirokastra si ishte, si është, si po zbukurohet dhe sa punë do të na duhet t’ia kushtojmë asaj” titullohej ekspozita e çelur sot në qytetin e gurtë në kuadër të “Ditët Europiane të Trashëgimisë”.
Specialistja e Trashëgimisë Jo Materiale në Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, Eni Çuçi, tha sot për ATSH-në se “ekspozita kishte rreth 60 fotografi të ndara në 3 periudha, në atë para viteve ’44, në vitet ‘44-’90 dhe periudhën pas viteve ‘90 deri në ditët e sotme”.
“Gjithashtu ekspozita përmbante edhe foto të kostumeve popullore të hershme të zonave të ndryshme të Gjirokastrës, Lunxhit, Dropullit, Përmetit e Libohovës”, – tha Çuçi.
Sipas saj, ekspozita u çel në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë, ku nëpërmjet zhvillimit të ngjarjeve kulturore synohet nxjerrja në pah e vlerave të trashëgimisë kulturore.
“Një tjetër veçanti e kësaj ekspozite ishte çelja e saj në një nga pjesët më të bukura të kalasë e restauruar së fundmi, pjesa e kupolës poshtë sahatit aty prej ku qyteti gjarpëron e shihet të flejë i qetë”, – u shpreh Çuçi.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.