Vjosa/ Rama për Metën: Sikur ta kishte mbrojtur edhe Valbonën kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut! Nuk ka leje për projekte HEC-esh

Ndërsa presidenti Ilir Meta është shprehur se mbështet krijimin e një Parku Kombëtar dhe jo ndërtimin e digave mbi lumin Vjosa, kryeministri Edi Rama ka folur mbi këtë temë.

Rama shkruan në twitter se do ishte shumë mirë sikur Meta “ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!”.

Rama thekson se Ministria e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun.

Statusi i Ramës

Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen!

Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë!

Ndërkohë presidenti Meta është shprehur më herët sot se: Lumi Vjosa është një pasuri natyrore kombëtare por edhe ndërkombëtare, që ne kemi fatin ta kemi këtu, por që në të njëjtën kohë është i rrezikuar nga planet për ndërtimin e hidroçentraleve të Poçemit dhe Kalivaçit.

Unë shpresoj që qeveria të marrë në konsideratë serioze si peticionin e nënshkruar nga 776 shkencëtarë nga e gjithë botë, në mbrojtje të lumit Vjosa, ashtu edhe konkluzionet e nxjerra nga tryeza e djeshme, që iu dorëzuan Presidentit të Republikës dhe që do të dërgohet pranë të gjitha institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare që merren me këtë çështje.

E ardhmja e Vjosës nuk mund të jetë kurrësesi shkatërrimi i saj përmes ngritjes së hidrocentaleve, por shpallja si Park Kombëtar, duke sjellë kështu impakt pozitiv dhe zhvillim të qëndrueshëm për zonën dhe komunitetin për sot dhe për gjeneratat e ardhshme