Propozimet e PD-së për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri: Jemi dakord në parim
Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, deklaroi para mediave, pas mbledhjes së tryezës për Refomën Zgjedhore, se është dakord në parime me propozimet e Partisë Demokratike për identifikim, votim dhe numërim elektronik.
“Do të shohim me kujdes propozimet, edhe pse në parim jemi dakord me draftin, por do të bëjmë konsultime me organet e Këshillit të Ministrave, si edhe ndërkombëtarët. Do të konsultohemi dhe me ekspertë dhe do të japim mendimin tonë.
Në parim jemi dakord, por elektronika kërkon kohë dhe duhet një punë e madhe”, theksoi Gjiknuri.
Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së në tryezën e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, deklaroi se mazhoranca kërkoi kohë për të parë propozimet.
“Ne propozuam sot një adresim të drejtpërdrejtë. Shpresojmë që të kemi dakordësi që shqiptarët në të gjitha qendrat e votimit, në zgjedhjet që vijnë të kenë mundësi që të mbajnë zgjedhje të votueshme.
Ky do të ishte një hap i madh që do të çonte drejt depolitizimit të komisioneve zgjedhore. T’i lëmë kohën e mjaftueshme që është minimale për të parë kërkesat tona që janë të qarta. Propozimi është i thjeshtë, uroj të mos ketë justifikime”, tha Bylykbashi.