Policia ngre pika kontrolli rrugës për Kakavijë: Nuk kaloni dot në Greqi, kthehuni mbrapsht
Policia Rrugor ka vendosur pika kontrolli në akset rrugore që të çojnë drejt Kakavijës për t’i kërkuar qytetarëve të kthehen mbrapsht. Me gjithë masat e marra për normalizimin e gjendjes në pikat e kalimit kufitar me Greqinë, gjendja mbetet ende problematike. Në Kakavijë kolona e automjeteve i ka kaluar 20 km. Kjo ka bërë që autoritetet të kërkojnë kthimin e qytetarëve për në shtëpitë e tyre, pasi kalimi drejt Greqisë do të jetë i pamundur përgjatë orëve të ardhshme.
Në datën 16 gusht Greqia do të aplikojë masa të reja kufizuese për lëvizjen në dogana si dhe do të bëjë të detyrueshme karantinën 7 ditore për cilindo qytetar që do të futet në territorin grek. Edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi nga qytetarët që të kthehen pas.
“Me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe të pritjes në radhë të gjatë të qytetarëve dhe sidomos të fëmijëve, Policia e Shtetit do të vendosë pika kontrolli në akset rrugore që çojnë drejt pikave të kalimit kufitar për të këshilluar dhe kërkuar nga qytetarët që të shtyjnë planet e udhëtimit drejt Greqisë për një moment më të përshtashëm, ose të paktën të ndalojnë dhe të presin në kushte më të përshtatshme në qytetet ose fshatrat përgjatë rrugës, deri në krijimin e mundësive reale për kalimin e kufirit, pa orë të stërgjatura pritjeje. Ftojmë qytetarët për mirëkuptim dhe bashkëpunim me forcat e Policisë dhe strukturat e tjera të angazhuara në menaxhimin e kësaj situate të pazakontë, të padëshiruar, por edhe të pashmangshme”, shkruan Lleshaj në Facebook. Të njëjtën këshillë përcolli edhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çaku nga Kakavija, ku pa nga afër situatën kaotike.
“Koha në të cilën ata do të duhet të dalin në drejtim të shtetit grek është shumë e kufizuar. Autoritetet greke kanë vendosur procedurat që i përkasin atyre. Deri në orën 22:00 procedojnë dhe numri është kufizuar në raport me numrin e qytetarëve që i janë drejtuar në Kakavijë. Ata do i ndryshojnë procedurat duke nisur nga data 16 dhe do të limitojnë hyrjet nga pikat e kalimit kufitar, sidomos nga Kakavija. Kjo e bën të vështirë situatën për të gjithë këta qytetarë që janë vendosur aktualisht në radhë kilometrike. Gjej rastin t’i bëj një ftesë, njoftim apo thirrje këtyre qytetarëve të mos e vështirësojnë jetën dhe shëndetin e vet e familjarëve të tyre, pasi pritja e pafund është shumë e vështirë. Do të ishte me vend të riktheheshin dhe të ndiqnin në mënyrë kronologjike të gjithë komunikimet në hapësirat elektronike të krijuara nga shteti grek për momentin kur mund të kalojë. Gjithë kjo pritje nuk mund të bëjë kalimin e tyre brenda një kohe të shkurtër dhe pritja e tyre do të jetë një kosto shumë e madhe për ata e për ne“, u shpreh Haki Çako.