Florika Bebri, “bisha e detit” që edhe sot noton si kampione
PROFIL/ Në rrëfimin e historisë të karrierës së saj, ish-notarja e Butrintit, Dinamos e Kombëtares, tregohet nostalgjike. Flet edhe Mjeshtri i Madh, Sadik Mema
Agron KAJA
Duke qënë notare e elitës në notin shqiptar, si e mbani mënd një shkrim apo kronikë sportive që është folur për ju?
Unë kujtoj se kur dilja kampione, gazetarët e vjetër Ahmet Shqarri dhe Vladimir Grrillo më kanë marrë disa herë intervista. Madje që kur nisa si fëmijë e deri me të rriturat, gjithmonë pas çdo titulli kampion dilja në gazetën sportive.
E keni ndjerrë veten si pjesë e notareve që kanë ditur të notojnë dhe të fitojnë si kampionë?
Ishte një periudhë më shumë se 7 vjeçare, dhe e tillë ndjehesha kudo në Sarandë e Tiranë. Për mua ishte një periudhë shpërthimi në këtë karrierë, por që zgjati pak. Sepse unë dilja vetëm kampione kudo, dhe kështu më respektonin kudo.
Kur ka nisur rrugëtimi juaj sportiv, në cilën moshë e kujtoni dhe ekipin që keni përfaqësuar?
E kam nisur këtë rrugëtim sportiv në vitin 1969 me Pionieret e Butrintit, ndërsa në vitin 1974 kam vazhduar garimin me të Rriturat e Butrintit. Në vitin 1974 shkova në shkollë në Tiranë dhe vazhdova aty me Dinamon deri në vitin 1978.
Po karriera juaj që të notonit me një ekip të elitës në Shqipëri, kur ka nisur?
Ekipi i parë në elitës ka qënë Butrinti në 100 m dhe 200 m Bretkocë, njëherësh merrja pjesë edhe në stafeta. Dhe këto kryesisht kur ishim në Kinë, atje ku edhe e thyemë rekordin kombëtar në stafetën katërnotim. Më pas vazhdova me Dinamon.
Cila është periudha e kohëzgjatjes së karrierës tuaj si notare, dhe ekipet që përfaqësuat?
Pra, u shpreha më sipër se nga viti 1969 e deri në vitin 1978 ishte kohëzgjatja kohëzgjatja e karrierës sime si notare kampione dhe rekordmene. Unë e kisha dhe e kam pasion notin. Kur isha me Dinamon përgatitesha në çdo stinë me porosi trajneri.
Pse ka qënë kjo vështirësi përgatitore në periudhën kur ju garuat në Tiranë për Dinamon?
Unë stërvitesha kryesisht në Sarandë, edhe kur isha me Dinamon. Madje kur garoja për Dinamon, kam punuar edhe kur vija me pushime në Sarandë, por edhe tek Liqeni artificial. Ishte stërvitje pasioni që finalizohej si kampione.
Ju garuat në një periudhë të shkurtër, pse erdhi ky largim kaq i shpejtë e në moshë shumë të re?
Sepse kështu erdhën kushtet e mia familjare, ndaj dhe unë nuk e vazhdova më shumë kohë sportin e notit. Kam qënë shumë e re, vetëm 20 vjeç kur u largova dhe në atë peiudhë krijova familjen, më pas fëmijët.
Cili ka qënë trajneri juaj i parë, a mbeti ai një shembull për rezultatet tuaja?
Me pionierët në klasa sportive ishte Edi Mahemeti, më pas me të Rejat kam punuar me Esat Mamacën. Ndërsa me Aleks Gjinin punova më shumë, dhe ai punoi fort me mua dhe ja dedikoj atij një pjesë të karrierës sime si kampione e rekordmene.
Rekordin e parë që keni thyer në karrierën tuaj, si e kujtoni sot?
Po, e kujtoj. Kam qënë në Kinë me Kombëtaren në vitet 1974-1975 ku edhe thyeva rekordin kombëtar në stilin Bretkocë. Kujtoj se isha 15 vjeçe kur garova në 200 m Stil Bretkocë, me konkurrente Elida Thomain e Flamurtarit. U ndjeva e lumtur.
Keni garuar në Stilin Bretkocë dhe në stafeta, cilat ishin rivalet tuaja në gara dhe në rekordet kombëtare?
Në atë periudhë ishin disa vajza rivale në gara me mua, por unë kujtoj Elida Thomain e Flamurtarit, Tatjan Xhelilin dhe Elida Xhindin te Butrintit. Ka qënë një periudhë e artë për mua, sepse kam dalë vetëm kampione ndaj rivaleve në garë.
Po me Kombëtaren e Notit, si i kishte marrëdhëniet Florika në periudhën e karrierës?
Unë e përmënda më sipër se, me Kombëtaren kam qënë në një periudhë të shkurtër në vitet 1974-1975. Atëhere nuk merrnim pjesë nëpër evente ndërkombëtare, kishim ato takimet me kinezët, si këtu në Shqipëri ashtu edhe në Kinë.
Keni garuar në det të hapur, pishinë dhe në maratonë, ku e keni patur më të lehtë garimin?
Për mua, në det është më i mirë notimi, sepse unë aty u rrita dhe gjatë garës ndjehesha më e lirshme. Madje edhe në Kinë që u përgatitëm në pishinë, unë u ambientova gradualisht, edhe pse më pas thyeva rekordin kombëtar.
Sa mbahet mënd në memorrien tuaj gara e fundit që keni bërë si notare e elitës?
Ka qënë kampionati kombëtar në vitin 1978 në pishinën e Lushnjes, ku unë garoja me Dinamon. Aty morra pjesë në 100 m dhe 200 m Bretkocë, dhe aty e mbylla si kampione. Këtë largim e kujtoj me shumë nostalgji.
Në kohën kur ju keni garuar, si ka qënë infrastruktura në sportin e notit?
Skandaloze, nëse e krahasojmë me kushtet e infrastrukturës së notit sot. Kanë qënë kushte shumë të vështira. Në Sarandë nuk u ndërtua një pishinë, por ende vazhdohet vetëm te Zadrat. Keqardhje që nuk ka përmirësime këtu në Sarandë
Kur u larguat nga aktiviteti si notare, e ndoqët ritmikën e garave të notit në Shqipëri?
Unë i kam ndjekur dhe aktuelisht i ndjek veprimtaritë e notit, kryesisht kur zhvillohen garat në Sarandë. Por mbaj lidhje të forta me notaret e vjetra që kemi garuar gjatë karrierës. Për mua, noti është hobi dhe nostalgji.
Duke qënë vetëm një ish-notare që nuk jeni marrë me trajningun e notit, si jeni ndjerrë?
Nuk jam marrë me trajning, sepse jeta familjare në moshën shumë të re më bëri që të marr kthesë tjetër në jetë. Më kanë kërkuar shpesh për të marrë ekipe, por i hyra rrugës së biznesit, dhe kjo më ka larguar nga të qënurit trajnere, por jo fizikisht.
Në këtë moshë që jeni sot, e keni dëshirën që të trajnoni një ekip noti?
Jo vetëm mosha, por edhe biznesi nuk ma mundëson një gjë të tillë. Pasioni e do, por mundësitë nuk ma japin këtë. E përmënda më sipër, se unë tashmë e mbaj pasionin tim të gjallë duke notuar periodikisht në çdo stinë të vitit.
Në këto vite dhe në këtë moshë, ju tregoni se me notin nuk i keni shkëputur marrëdhëniet?
Notoj çdo ditë, jam si një “bishë e detit”, kështu më thonë të gjithë qytetarët në Sarandë. Notoj dy herë në ditë në çdo stinë, aq sa më thonë se e sfidoj moshën. Madje edhe një sëmundje në gju e kalova nëpërmjet notimit.
Ka disa vite që funksionon Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit, ju si e vlerësoni?
Unë e vlerësoj si një shoqatë me vlera, sepse duke i bashkuar notarët e periudhave të ndryshme, e kujton dhe e bashkon historinë e notit shqiptar. Por mua nuk na kanë thirrur, ndoshta, sepse jemi larg Tiranës. Uroj të funksionojë gjatë.
Notoj çdo ditë, jam si një “bishë e detit”, kështu më thonë të gjithë qytetarët në Sarandë. Notoj edhe dy herë në ditë në çdo stinë, aqsa më thonë se e sfidoj moshën. Madje edhe një sëmundje në gju e kalova nëpërmjet notimit

Florika-Biznesi-Noti, triangolarja e jetës
“Unë ende notoj, madje edhe dy herë në ditë”, këto fjalë të thëna nga notarja Florika Bebri e “zbardhin” një triangolare që formohet tek kjo mjeshtre e notit shqiptar. Florika-Biznesi-Noti, kjo është triangolarja e jetës, e cila tashmë është e formatuar në programin e saj/ Dhe jo pa kuptim atë e kanë quajtur si “Bisha e detit”. Në të tilla raste, titulli sportiv sikur “zhytet” mes pasionit e profesionit, sepse e parë në këtë këndvështrim, Florika e ka marrë titullin më të lartë si Notare, më pas në Biznes, dhe gjatë gjithë kohës edhe në ambjentet sportive e shoqërore.
Trajneri Aleks Gjini
Florika bën pjesë në periudhën e artë të notit të Sarandës

Një nga trajnerët që ka stërvitur notaren Florika Bebri te Butrinti, është Aleks Gjini. Në vlerësimin e tij për këtë notare, ai e veçon për talentin e këmbëguljen e saj në stërvitje e garë. “Florika ka qënë një nga notaret më të mira që unë kam trajnuar te Butrinti. Notare e talentuar e stilit Bretkocë, e cila edhe pse me një karrierë të shkurtër, e nisi dhe e mbylli si kampione dhe rekordmene. Florika bën pjesë në ato notare kampione dhe rekordmene, në periudhën e artë të notit të Sarandës, Ajo dinte të vendoste edhe objektiva të vështira, por të mundëshme për t’i arritur, me një këmbëngulje të admirueshme. Brënda një kohe të shkurtër, me 3-4 vite stërvitje, Florika u rendit në listën e rekordmeneve më të zëshme në garat e 200 m Stil Bretkocë, dhe meritoi anëtarësimin në ekipin tonë kombëtar që na përfaqësoi në takimet miqësore në Kinë, në Lojrat Aziatike. Ashtu si në sport, ajo sot është një bisnesmene e suksesshme”, ishte ky vlerësimi i trajnerit Aleks Gjini.

1
KARRIERA
Edhe pse në karrierën e saj si notare e elitës Florika Bebri garoi për një periudhë të shkurtër (1974-1979), nga starti në elitë e deri në mbyllje, ajo ishte kampione dhe rekordmene, kryesisht në stilin Bretkocë


2
EKIPET
Në karrierën e saj si notare elitare, Florika Bebri e nisi vitin 1974 me ekipin e Butrintit, ndërsa në vitet 1974-1979 garoi me Dinamon. Në vitin 1974-1975 ka qënë pjesë e Kombëtares shqiptare të Notit
KONSIDERATA DHE VLERËSIME NGA ISH-KAMPIONË
ANTHULLA IKONOMIDHI, MJESHTRE E MERITUAR E SPORTIT
Florikën e kujtoj si notare cilësore, e talentuar në Stilin Bretkosë

Edhe për Mjeshtren e Merituara të Notit, Anthulla Ikonomidhin, notarja Florika Bebri ka qënë dhe mbetet një notaret me passion e vullnet, një shoqe e mirë me virtyte të larta njerëzore. “Kur me Florikën u takuam para tre viteve në Maratonën e notit në Sarandë, e mbaja mend si notare cilësore e fuqishme, ishte e talentuar në Stilin Bretkosë. Kam qënë gjyqtare noti kur ajo thyente rekordet, ose dilte në vend të parë. Unë isha larguar në Tiranë në vitin 1972 dhe Forika në Tiranë, ku stërvitej nga trajnieri Emin Gripshi. U grumbullua në ekipin kombëtar për në Kinë, dhe atje theu rekordin e 200 m në Stilin Bretkosë. Florika edhe sot notin nuk e ka lënë, sepse ka vite që del çdo mëngjes në orën 05:30 ose 06:00 dhe noton. Por Florika është edhe një shoqe e mike me vyrtyte të larta njerëzore, shpirtërore e fisnike, në familje dhe shoqëri. E dua shumë, dhe meriton shumë respekt”.
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Me rezultatet e saj, Florika ka hyrë te notaret e elitës të Notit shqiptar

Edhe në këtë Profil të kampiones Florika Bebri, Mjeshtri i Madh Sadik Mema përcolli mirënjohjen e vlerësimin e tij, si një nga notaret e elitës. Për Florikën, Pupi u shpreh mes të tjerave se, pavarësisht se ishte një trupvogël, ajo arriti rezultate të larta në të gjitha garat, edhe pse në një karrierë të shkurtër. “Florika ka notuar në një periudhë që e mbizotëronte stilin Bretkocë në garat e Femrave. Si te Butrinti, ashtu edhe te Dinamo, me rezultatet e saj ajo ka hyrë te notaret e elitës të sportit të Notit në Shqipëri. Një kampion e rekordmene, njëherësh edhe antare e ekipit tonë Kombëtar, të impononte kureshtjen me notimin e saj të bukur, por edhe teknik. Pavarësisht se është një trupvogël, ajo arriti rezultate të larta në të gjitha garat, edhe pse në një karrierë të shkurtër. Ndërsa tani, ajo gjithmonë noton, që tregon se e ka patur pasion këtë sport. E vlerësoj Florikën sot si një njeri me vlera qytetare e shoqërore, një biznesmene që gëzon respektin e qytetarëve të Sarandës”.
CV Sportive
FLORIKA BEBRI

Datëlindja: 10 mars 1959
Vendlindja: Sarandë
Vendbanimi: Sarandë
Arsimi: Shkolla e Mesme Teknologjike Tiranë, 1974-1978
Profesioni: Laborante, teknologe kimiste
Sporti që ka ushtruar: Not
Starti i karrierës në elitë: Në vitin 1969 me Pionieret e Butrintit
Skuadra e parë elitare në karrierë: Në vitin 1974 me Butrintin, në vitet 1974-1979 me Dinamon
Stili i preferuar në gara: Stili Bretkocë
Skuadrat në karrierë: Në vitet 1970-1974 me Butrintin, në vitet 1974-1977 me Dinamon.
Gara e parë kombëtare në karrierë: Në vitin 1970 me të Rejat.
Rekordi i parë kombëtar: Në vitin 1974 në Kinë.
Gara e fundit kombëtare në karrierë: Në vitin 1977 me Dinamon në Lushnje.
Rekordi i fundit kombëtar: Në vitin 1975 në Kinë.
Me Kombëtaren: Në periudhën 1974-1975
Fituese në garat: Në vitet 1974-1979 kampione në stilin Bretkocë.
Kohëzgjatja e karrierës si notare: Në vitet 1970-1979
Aktualisht: Administratore në Biznes privat.

Kur bëhen bashkë kampionet e notit të Sarandës

Duke kërkuar diçka të veçantë për notaren Florika Bebri, kishte të dhëna që e vlerësonin për karrierën, por edhe për këmbënguljen e saj në këtë sport, edhe sot në moshën 66 vjeçare. Ndërsa kjo foto të cilën unë e quaj të veçantë, më detyroi të shkruaj këto pak rradhë, por që për mua flasin shumë. Sepse kjo foto sjell atmosferën e kohës së artë të Butrintit, me katër mjeshtre që Sarandës i sollën tituj dhe rekorde. Ato janë (nga e majta në të djathtë): Marjana Çakuli, Suzana Mehmeti, Florika Bebri dhe Anthulla Ikonomidhi. Edhe pse periudhën e tyre të garimit pak e kam prekur, duke ua lexuar historinë e karrierës, shpreh mirënjohje e respekt. Janë këto katër zonja që Florika i solli sot me këtë foto, por që dje ato dhuruan emocione me kontributin e tyre në sportin e dashur për sarandiotët, Notin.


