Vjeshta në Parkun Natyror të Syrit të Kaltër, destinacioni që nuk njeh stinë me turistë të shumtë

Edhe pse jemi në stinën e vjeshtës, numri i vizitorëve në Parkun Natyror të Syrit të Kaltër vijon të mbetet i lartë. Turistë vendas dhe të huaj zgjedhin ta vizitojnë këtë mrekulli natyrore edhe në muajt e freskët të vitit, për të shijuar qetësinë, ajrin e pastër dhe pamjet mahnitëse që ofron ky destinacion.

“Kam ardhur disa herë gjatë verës, por këtë herë në vjeshtë është krejt ndryshe. Ka më pak zhurmë, gjithçka është më e qetë dhe mund ta shijosh më shumë natyrën. Uji është po aq mahnitës, ngjyrat e vjeshtës e bëjnë edhe më të bukur. Është një vend që të qetëson dhe të bën të kthehesh sërish”, u shpreh një turist.

“Kam dëgjuar shumë për Syrin e Kaltër, por nuk e prisja të ishte kaq i bukur. Edhe pse është vjeshtë, duket sikur koha ka ndalur këtu. Uji është i pastër, natyra përreth është fantastike dhe gjithçka shumë e mirëmbajtur. Më pëlqen që nuk ka shumë njerëz dhe mund të ndihesh pjesë e qetësisë së këtij vendi”, tha një turiste tjetër.

“E vizitoj për herë të parë Syrin e Kaltër dhe sinqerisht më ka lënë pa fjalë. E kisha parë në foto e video, por nga afër është shumë më mahnitës. Uji është aq i pastër sa. Më pëlqen që edhe pse jemi në vjeshtë, ka gjelbërim, ajër të pastër dhe qetësi absolute. Ngjyrat e pemëve përreth përzihen me blunë e ujit dhe krijojnë një peizazh që s’e gjen askund tjetër. Mendoj se është një vend që duhet vizituar jo vetëm në verë, por në çdo stinë të vitit”, theksoi turistja.

Ndryshe nga shumë destinacione që boshatisen pas verës, Syri i Kaltër vazhdon të jetë plot jetë edhe në vjeshtë. Mes ngjyrave të arta të natyrës dhe ujërave të kristalta, ky park dëshmon se bukuritë e jugut nuk njohin sezon.