Është bërë kontrolli i mjetit tip furgon së bashku me personin dhe gjatë kontrollit janë gjetur një çantë tip marsup, të cilën e kishte me vete, 6 mbështjellje në formë doze me plastmas, brenda së cilave kishte material pluhuri me ngjyrë të bardhë dhe karakteristika si ajo e lëndës narkotike e llojit “Kokainë”, si dhe një peshore elektronike, me mbishkrimin. Më pas, është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku nuk i janë gjetur sende të jashtëligjshme.
Pas peshimit të lëndëve të dyshuara si narkotike, ato rezultuan me peshë totale (së bashku me ambalazh) 3.83 gramë kokainë. I dyshuari gjatë marrjes në pyetje deklaroi: “Përsa i përket lëndës narkotike, unë jam përdorues i lëndës narkotike të llojit “Kokainë” prej shumë vitesh dhe përsa i përket sasisë rreth 6 doza, i kam blerë në Athinë te një person i panjohur, shtetas grek, rreth 170 cm i gjatë, të cilin nuk e njoh personalisht.
Lëndën narkotike e bleva kundrejt vlerës 80 euro, për arsye se në shtetin shqiptar ku unë jetoj, kushton më shtrenjtë. Këtë sasi të lëndës narkotike e konsumoj për një periudhë 12 ditore, në varësi të gjendjes psikologjike që ndodhem. Në lidhje me peshoren që është gjetur në çantën time, dua të them se është harruar nga personi që ma ka shitur, pasi e peshoi lëndën narkotike përpara se të ma shiste.”
Ekspertimi i mëvonshëm toksikologjik, doli në përfundimin se në mostrën e urinës së te dyshuarit u zbulua prania e produkteve të metabolizmit të kokainës, duke vërtetuar faktin që ai ishte përdorues, ndërsa peshimi neto i lëndës së sekuestruar rezultoi në 3,329 gramë. Ekspertët arritën të këqyrnin edhe aparatin celular të 52-vjeçarit, por nga këqyrja nuk rezultuan të dhëna me interes për hetimin.
Pavarësisht këtyre fakteve, Gjykata vendosi ta dënojë 52-vjeçarin Vasillaq Vasili me 5 vjet heqje lirie për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, e dënoi atë përfundimisht me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie, e cila duhet të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshme.