Rreth 80 kg drogë u zbulua në gomonen e fundosur/ Kontrolle në disa banesa në Sarandë, çfarë dyshohet
Janë zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen e raportuar një ditë më parë, ku një 50-vjeçar nga Saranda lëshoi alarmin “SOS” pasi gomonia e tij gati u fundos e tëra në brigjet greke.
Pasi u shpëtua dhe kreu kontrollet mjekësore, ai u vu në pranga, për shkak se autoritetet Portuale të Igumenicës dhe Korfuzit zbuluan në mjetin lundrues një sasi prej rreth 80 kg marijuanë.
Për zbardhjen e ngjarjes është angazhuar edhe policia e Kufitare e Sarandës. Sipas raportimeve, efektivët në bashkëpunim me oficerët e sektorit të antidrogës kanë kryer kontrolle në banesën e 50-vjeçarit në Sarandë dhe familjarëve të tij.
Ndërkohë edhe Prokuroria e Sarandës ka nisur hetimet për të zbuluar se nga ku ishte nisur ngarkesa e madhe e drogës dhe se cili ishte destinacioni i saj. 50-vjeçari me inicialet E.M., dyshohet se ka transportuar disa here lëndë narkotike drejt Korfuzit me gomone ose jet-ski.

