Për të vizituar Butrintin nuk ka stinë, historia dhe bukuritë natyrore tërheqin veçanërisht të huajt
Edhe pse jemi në stinën e vjeshtës, Parku Kombëtar i Butrintit vijon të presë një numër të lartë turistësh. Klima e butë dhe peizazhi i veçantë mes gjelbërimit e historisë po e kthejnë këtë periudhë në një sezon të dytë turistik për zonën.
“Kam ardhur në Butrint disa herë, por çdo vizitë është ndryshe. Edhe në vjeshtë, parku duket magjik natyra, pemët dhe rrënojat historike krijojnë një atmosferë të veçantë. Është shumë qetë, nuk ka shumë vizitorë si në verë, dhe mund ta shijosh çdo cep të parkut. Për mua, kjo stinë është ideale për të bërë një ecje të qetë dhe për të mësuar diçka nga historia e vendit”, u shpreh një turiste.
“Ne kemi zgjedhur të vizitojmë Butrintin tani në vjeshtë sepse mund ta shijojmë pa turma dhe me më shumë qetësi. Ngjyrat e stinës i japin parkut një bukuri të veçantë, ndërsa rrënojat historike janë mahnitëse. Është eksperienca perfekte për të kombinuar natyrën dhe kulturën, dhe për të bërë foto fantastike pa shumë njerëz rreth”, tha një turist tjetër.
“Edhe pse jemi në muajt e vjeshtës, Butrinti ka një energji të veçantë. Uji , pemët që ndryshojnë ngjyrë dhe rrënojat historike krijojnë një peizazh që të bën të ndihesh sikur je kthyer në kohë. Ka një qetësi që nuk e gjen gjatë verës, dhe mund të shijosh çdo moment duke ecur mes natyrës dhe historisë. Për mua, kjo është stina ideale për të vizituar Butrintin dhe për t’u larguar nga zhurma e qytetit”, tha turistja.
Butrinti dëshmon se trashëgimia kulturore dhe natyrore e Shqipërisë mbetet tërheqëse në çdo stinë. Edhe në muajt e vjeshtës, turistët vazhdojnë të mbushin rrugicat e lashta të parkut, duke e bërë këtë destinacion një histori suksesi për turizmin shqiptar gjatë gjithë vitit.

