Bukuritë e jugut të Shqipërisë – Rruga e vjetër e Muzinës, magnet për vizitorët e huaj

Një grup turistësh francezë prej 10 vetash po eksplorojnë këto ditë bukuritë e jugut të Shqipërisë, duke përfshirë në itinerarin e tyre disa nga destinacionet më të veçanta të zonës.

Gjatë udhëtimit, ata janë ndalur në rrugën e vjetër të Muzinës, për të parë nga afër këtë segment të mbushur me histori dhe për të shijuar qetësinë që ofron natyra përreth.

“Kam zgjedhur Shqipërinë si destinacion. Është një vend që po i hapet gradualisht turizmit, dhe kisha dëshirë të zbulonim një vend që ka qenë nën ndikimin e një diktatori . Gjatë një udhëtimi në Kretë në prill të 2025, takova një udhërrëfyes, Dimitrin, i cili më foli për vendin e tij. Tregimet e tij forcuan dëshirën time për të vizituar Shqipërinë dhe për të njohur zakonet dhe traditat e saj unike. Tashmë po njohim jugun e vendit”, tha turisti.

Ajo që më pëlqeu më shumë ishin peizazhet e maleve që ishin vërtet të jashtëzakonshme. Për më tepër, jemi në vjeshtë, kur ngjyrat janë vërtet të mahnitshme. Është si një ëndërr dhe të jep dëshirën për të qëndruar.Më kanë mirëpritur jashtëzakonisht mirë. Është një vend fantastik”, tha një tjetër turist.

Turistët janë shprehur të impresionuar nga peizazhi vjeshtor dhe mikpritja që kanë gjetur në zonë, duke vlerësuar jugun e Shqipërisë si një destinacion që ofron eksperienca unike për çdo vizitor.

“Rruga e vjetër e Muzinës është një segment historik që na ka lënë pa fjalë. U ndalëm disa herë për të shijuar panoramën dhe për të fotografuar peizazhet spektakolare. Ishte një përzierje e natyrës së bukur, qetësisë dhe historisë që e bën këtë rrugë të veçantë dhe të paharrueshme”, vlerësoi turisti.

Eksperienca e turistëve dhe rritja e numrit të tyre  tregon potencialin e madh turistik të jugut të Shqipërisë, duke e bërë atë një destinacion gjithnjë e më tërheqës për vizitorë nga e gjithë bota.