Shpallet fituesi i tenderit 20 milionë euro që do kryejë punimet për Unazën e Sarandës
Disa firma kryesore kanë garuar me njëra tjetrën për tenderin 20 milionë euro të Unazës së Sarandës, faza e parë.
Sipas dokumenteve , Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar ditët e fundit tenderin me objekt “ndërtim by pass Sarandë, faza I”, me një fond limit rreth 20 milionë e 500 mijë euro pa TVSH. Punimet për ndërtimin e aksit parashikohen të bëhen për 24 muaj, ndërkohë që është parashikuar edhe ndërtimi i një tuneli.
Firma Gjoka, e cila u shpall edhe fituese bëri një ofertë prej 1,767,032,381 lekë pa TVSH.
Sipas dokumenteve, Unaza e Re e Sarandës është parashikuar të fillojë në hyrjen aktuale të qytetit, pranë rreth rrotullimit të Qafë Gjashtës dhe të përfundojë në lidhje me rrugën nacionale Sarandë-Himarë. Rruga do të ketë një gjatësi prej rreth 3.5 km, duke përfshirë segmente rrugore me karakteristika urbane dhe interurbane, si dhe një tunel me gjatësi afërsisht 800-900 metra.
Duket se zgjidhja më e mirë për trafikun e tmerrshëm gjatë verës ishte ndërtimi i një hyrje të re në pjesën veriore të qytetit, e cila do të lidhej direkt me aksin rrugor Sarandë-Himarë. Kjo hyrje shmang nyjen aktuale të Qafë Gjashtës, e cila është e mbingarkuar nga trafiku.

