Ksamili me një shërbim shëndetsor të cunguar!

Nga Shpresa Dine

Ksamili, në juridiksion të bashkisë Sarandë, është qyteza në jug të vendit që vit pas viti, përveçse atyre sezonalë, shton numrin e banorëve të vet rezidencialë, ku numëron 6000 banorë. Dhe kjo natyrisht kërkon edhe sherbimin shëndetësor sipas gjithë kërkesave të banorëve, pra sherbim 24 orë.

Në qytezën e Ksamilit ka dy qendra shëndetësore, një gjithëvjetore dhe një sezonale. Qendra shëndetësore gjithëvjetore ndodhet, në lagjen nr1, ose siç të thonë vetë ksamiljotët lart, ndërsa ajo sezonale poshtë, ose në lagjen nr.2.

Në qendrën shëndetësore gjithëvjetore shërbejnë çdo ditë dy mjekë dhe 6 infermierë. Por çuditërisht ky ekip sherbimi shëndetësor në Ksamil është në sherbim të qytetarëve deri në orën 15:00 të çdo ditë, ndërkohë që duhet të jetë sherbim 24 orësh.

Mjeku me përvojë profesionale Tajar Lako në intervistën marrë prej tij mes të tjerave na tha: Rastet që trajtohen në qendrën shëndetësore gjithëvjetore në Ksamil kanë qenë ato të virozave të stinës, por me shtrirje edhe më gjatë. Ksamili ka një popullsi vitale, pra fëmijë, të rinj, të rritur dhe të moshuar të cilët kanë gjetur sherbimin e nevojshëm në këtë qendër. Në qendrën tonë trajtohen edhe rastet urgjente, ndërkohë që për rastet e specializuara i dërgojmë në spitalin e Sarandës.

Për qytetarët sherbimi në këtë qendër është korrekt dhe profesional, por kërkesa e tyre është që sherbimi të jetë 24 orësh, jo vetëm deri në drekë. Gjithashtu kërkojnë që edhe një ambulancë të jetë në çdo kohë pranë qendrës shëndetësore.

Ndërsa qendra shëndetësore gjithëvjetore funksionin edhe pse me orarin deri në drekë pasi nuk ka sherbim 24 orësh, ajo në lagjen nr.2, pra qendra shëndetësorr sezonale “është akoma në gjumë” pra nuk funksionon.

E ndodhur në një nga lagjet e Ksamilit madje edhe mes barishteve të rritura pasi nuk është në funksion edhe pse është mes maji dyert i ka të mbyllura. Pra pret të çelet sezoni të thonë banorët, kur prania e njerëzve jo vetëm atyre vendas por edhe të huaj është tashmë prezente. Edhe mjeku në Qendrën Shëndetësore sezonale vjen nga Tirana.

Ksamili numëron 427 hotele, e shprehur në shtretër 10.325 të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *