Olti Çaçi jep lajmin e mirë: Saranda dhe Mentoni drejt binjakëzimit, hidhet hapi i parë për një partneritet mesdhetar
Saranda dhe qyteti francez i Mentonit janë gjithnjë e më pranë krijimit të një partneriteti të qëndrueshëm dhe të frytshëm. Më 5 dhe 6 prill, në qytetin bregdetar të Mentonit, kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Çaçi, dhe homologu i tij francez, Yves Juhel, firmosën letrën e interesit për binjakëzimin e dy qyteteve.
“Na bashkon Mesdheu, mënyra e veçantë e jetesës dhe dashuria për agrumet – limoni për Mentonin, mandarina për Sarandën,” u shpreh Çaçi, duke theksuar lidhjen e natyrshme mes dy qyteteve.
Ky binjakëzim synon të forcojë bashkëpunimin institucional, të nxisë shkëmbimet kulturore dhe të ndërtojë ura miqësie mes qytetarëve.
Kryebashkiaku sarandiot falënderoi në mënyrë të veçantë zëvendëskryetarin e Bashkisë së Mentonit, Jean-Claude Alarcon, për mbështetjen e vazhdueshme të kësaj nisme, si dhe ambasadorin e Shqipërisë në Francë, z. Dritan Tola, së bashku me përfaqësues të Ambasadës që kanë luajtur një rol kyç në afrimin mes dy qyteteve.
Sipas Çaçit, ky është vetëm fillimi i një rruge që do të sjellë projekte të përbashkëta dhe bashkëpunim konkret në të ardhmen.