Helmimi i kafshëve në Gjirokastër, flet nënkryetarja e bashkisë: Nuk ka asnjë urdhër, nuk është e organizuar prej nesh

Në emisionin e mëngjesit në Abc News është folur sot edhe për helmimin e disa qenëve dhe maceve në Gjirokastër.

Krahas të rinjve që denoncuan në rrjetet sociale ngjarjen, e ftuar në emision ishte edhe nënkryetarja e bashkisë, Jorida Muho.

Ajo tha se nuk ka asnjë urdhër të shkruar apo verbal nga bashkia për helmimin e kafshëve.

Sipas saj, vetë bashkia është po aq e interesuar për zbardhjen e kësaj cështje dhe për këtë ka komunikuar me Policinë e Shtetit që ditën e parë kur dolën pamjet.

Muho shtoi më tej se ajo vetë dhe kryetari i bashkisë gjithashtu janë persona që kanë kafshë në shtëpi dhe natyrisht që kanë sensibilitet të lartë ndaj tyre.

Ajo shpjegoi edhe pamjet që kishin dalë nga kamerat e sigurisë së një hoteli, ku shihej një prej punonjësve të pastrimit që lëvizte në atë zonë.

Me këtë pamje nisi fillimisht denoncimi në rrjetet sociale, por nënkryetarja e bashkisë theksoi se nuk mund të akuzohet një institucion i tërë se ka gisht në helmimin e kafshëve vetëm sepse një punonjës i pastrimit shkon të pastrojë koshat.

Në videon më poshtë ndiqni të plotë këtë pjesë të emisionit.