Saranda, së shpejti me qendër rinore
Një mjedis buzë shetitores së Sarandës, do të jetë së shpejti në dispozicion të moshave rinore.
Momentalisht po punohet për sistemimin e shkallares që të çon në mjediset e brendshme, të cilat kanë përfunduar së strukturuari.
Janë 6 mjedise edukimi dhe argëtimi, përfshi edhe një sallë kinemaje. Mjediset tashmë kanë marrë trajtë dhe të gjitha janë me xhamari.
Tani është radha e specialistëve të gurit, për të thënë fjalën e fundit në punimet për Qendrën Rinore.
Ajo do të jetë e vendosur në një mjedis gati të nëndheshëm, shumë pranë me Qendrën e trajtimit të Moshuarve të vetmuar, duke krijuar edhe më shumë hapësira bashkëpunimi mes brezave.
Për Qendrën Rinore të Sarandës u përdorën mjediset e një ish-magazine të Bashkisë Sarandë, që shërbenin për magazinimin e shezlongëve dhe çadrave të plazheve nën administrimin e Bashkisë.
Pritet që Qendra Rinore e Sarandës të hyjë në funksion brenda muajit mars 2025. (Thoma Nika)