Nga dështimi disa herë i tenderit te afërsia me Korfuzin, pse aeroporti i jugut zhvendoset nga Saranda në Gjirokastër

Zv.kryeministrja Belinda Balluku njoftoi dje papritur tërheqjen e qeverisë nga projekti për ndërtimin e një aeroporti në Sarandë dhe zhvendosjen e kësaj vepre në Gjirokastër. Balluku e argumentoi këtë lëvizje me efikasitetin që sipas saj ka Gjirokastra krahasuar me Sarandën, pa dhënë më shumë detaje nëse ka pasur ndonjë studim fizibiliteti apo arsye të tjera që çuan në këtë vendimarrje. Kujtojmë që tenderat për ndërtimin e aeroportit të Sarandës u hapën gjatë vitit 2021 dhe dështuan disa herë. Pavarësisht se qeveria ndryshoi dy herë kriteret, nuk u paraqit asnjë operator i interesuar.

Ky investim do të duhej të kryhej nga kompania që do të shpallej fituese e koncensionit, ndërkohë që pas projektimit, ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes, në përfundim të periudhës 35-vjeçare do të bëhej transferimi i veprës aeroportule pranë shtetit. Ky projekt është parë vazhdimisht me shqetësim nga fqinjët grekë, pasi shmangte një pjesë të fluksit që ka sot aeroporti i Korfuzit. Ndërkohë për aeroportin e Gjirokastrës shtroheshin vazhdimisht pretendimet që e kundërshtonin për shkak të terrenit, mjegullës së dendur dhe rrymave ajrore të papërshtatshme. Pavarësisht këtyre, sot kemi një zotim të ri që aeroporti do të ngrihet në Gjirokastër.

Aeroporti i Sarandës ishte konceptuar si një aeroport sezonal. Vlera e investimit parashikohej 33.4 milionë euro dhe brenda 4 viteve të para të operimit objektiv ishte arritja e 1 milionë pasagjerë. Bazuar në dokumentet zyrtare, projekti i planifikuar (një lloj investimi Greenfield) do të zbatohej në zonën e fushës së Vurgut, gjashtë km larg Sarandës dhe në një lartësi prej 20 metrash mbi nivelin e detit.

Zhvendosja drejt Gjirokastrës është një lajm i mirë për qytetin që ka njohur një zhvillim të vrullshëm të turizmit vitet e fundit. Por përtej entuziazmit ka plot pikëpyetje që mbeten. Edhe Kukësi ka sot një aeroport sezonal, i cili në pjesën më të madhe të vitit qëndron i mbyllur.

Në muajin korrik 2023 kompania low cost, WizzAir njoftoi mbylljen e fluturimeve të saj nga ky aeroport. Pra, çështja nuk është vetëm sa të ndërtohet aeroporti i Gjirokastrës e të ngelet aty si aset i fjetur, por të jetë në funksion dhe të ketë impakt në zhvillimin ekonomik të jugut të vendit. Ende nuk dihet nëse vepra do të jepet me koncension apo do të ndërtohet me para nga buxheti i shtetit.