Rama: Shqipëria bën për vete Berlinin, një nga destinacionet kryesore më të bukura turistike
Stenda gjigante e Shqipërisë në panairin ndërkombëtar të turizmit ITB Berlin 2025 tërhoqi vëmendjen e shumë vizitorëve.
“Shqipëria bën për vete Berlinin”, u shpreh Rama, ndërsa ndau opinione të të huajve të cilët vizituan stendën e Shqipërisë.
Kryeministri theksoi se “Ceremonia e Hapjes kushtuar ‘Vendit të Nderit’ dhe stenda gjigante në ITB Berlin tërhoqën vëmendjen e shumë vizitorëve, të cilët pohojnë se përmes saj u nxor në pah Shqipëria e vërtetë”.
“Albania All Senses”, sipas Ramës, “nuk është thjesht një slogan, por gjithçka që përfaqëson Shqipëria si një nga destinacionet kryesore më të bukura turistike”.
“Jemi këtu për t’u njohur me njëri-tjetrin. Nuk e dija më parë që Shqipëria ishte ‘Vendi i Nderit’. Interesante ishte se si ju nxorët në pah Shqipërinë e vërtetë në Ceremoninë e Hapjes. Mora një panoramë shumë të qartë të peizazheve, Alpeve, deteve, kulinarisë, një diversitet i madh që na rrëfyet. Prej kësaj jam shumë e interesuar që ta vizitoj Shqipërinë. Do të vij. Gjithashtu pashë Shkodrën Elektronike. Ata me të vërtetë përfaqësuan muzikën tuaj, ishte vërtetë shumë e këndshme”, u shpreh një prej vizitoreve.
Ndërkohë një tjetër vizitore u shpreh se Shqipëria do të jetë destinacioni i saj i radhës.
“Në Shqipëri nuk kam qenë ndonjëherë, por duke parë stendën tuaj të bukur mendoj se do të jetë destinacioni im i ardhshëm. Kam dy fëmijë të cilëve dua t’i tregoj botën. Dua t’i tregoj Shqipërinë e bukur”, u shpreh ajo.
“Jam shumë i interesuar për Shqipërinë veçanërisht për natyrën. Natyra është e mrekullueshme atje. Ne kemi një revistë të titulluar “Mondberge Magazin”, ku publikojmë artikuj rreth kulinarisë, por edhe për lëvizshmërinë elektrike. Unë nuk kam qenë, por një kolegia ime ka mbetur e surprizuar për mundësitë e karikimit për makinat elektrike në Tiranë”, tha një tjetër.
“E dua Shqipërinë. Kam qenë në Theth, Valbonë, Vlorë, Durrës, Berat, Përmet, Himarë, Ksamil”, u shpreh një tjetër vizitore që ka vizituar Shqipërinë.
“Jam i interesuar për Rivierën shqiptare. Dua të gjej një vend të këndshëm në bregdet, dua të shkoj në Tiranë dhe të eksploroj kryeqytetin për disa ditë. Kështu që mendoj të kaloj 8-9 ditë në shtator”, tha një tjetër.