Dy vite nga tërmeti tragjik: Si Saranda iu gjend pranë familjeve të prekura nga termeti

Në mbledhjen e 26 nëntorit të vitit 2019 të Këshillit Bashkiak të Sarandës, Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, mori fjalën për të folur për situatën mjaft të vështirë që po kalonte vendi, për shkak të tërmetit.

Pasi ka drejtuar ngushëllime për jetët e humbura, ai u bëri apel për solidaritet mbarëqytetar me të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit. Në mënyrë të pandarë nga kjo, Kryebashkiaku Gurma tha se efektivë prej 5 vetash të shërbimit zjarrfikës, me një automjet nga Saranda, do të bëheshin pjesë e një operacioni shpëtimi në lagjen Nr 6 në Durrës, ku ia dalën të nxjerrin të gjallë nga rrënojat një banor.

Kreu i Bashkisë Gurma, kërkoi në atë periudhë një mbledhjeje të veçantë, jashtë radhe, të Këshillit Bashkiak, në mbështetje të kapërcimit të situatës së krijuar nga tërmeti dhe për të miratuar krijimin e një fondi solidariteti nga Saranda.

Një numër i madh qytetarësh dhe biznes nga Saranda iu bashkuan asaj nisme duke dhënë kontributet e tyre për familjet e prekura nga tërmeti.